Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian, mandati nis më 1 dhjetor
BKT
Foto| Getty Images
Lajme

Konfirmohet përbërja e re e Komisionit Evropian, mandati nis më 1 dhjetor

Gjeraqina Tuhina | Bruksel | RTK

Kolegji i ri i Komisionit Evropian mori konfirmimin e Parlamentit Evropian, teksa me përfundimin e  procedurave mandati i ri i ekzekutivit të BE-së nis formalisht të dielën më 1 dhjetor.

Kështu, nga e hëna e ardhshme, institucionet me seli në Bruksel do përfaqësohen nga fytyrat e reja.

Do të ketë edhe fytyra tashmë të njohura sikur ajo e Ursula von der Leyen e cila edhe në mandatin e ardhshëm pesëvjeçarë do jetë sërish presidente e Komisionit Evropian.

Gjatë prezantimit të përbërjes së re të Komisionit, presidentja e këtij institucioni premtoi se do të angazhohet për një Evropë më të fortë dhe më të sigurtë.

Ursula von der Leyen gjithashtu premtoi se ky komision do t’ i kushtojë vëmendje të veçantë zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Në përbërjen e re të Komisionit Evropian, sektorin e zgjerimit do ta udhëheqë Marta Kos nga Sllovenia.

Politikën e jashtme të BE-së do ta përfaqësojë Kaja Kallas nga Estonia, ndërsa në portofolin e saj përfshihet edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Të njëjtën ditë kur nis mandati në Komisionin Evropian, edhe ish kryeministri portugez, Antonio Kosta merr detyrën e Presidentit të Këshillit Evropian.

Ndër aktivitetet e para që ai do t’ i zhvillojë në postin e ri, është organizimi i darkës së punës me liderët e Ballkanit Perëndimor, që do organizohet më 3 dhjetor.

Kjo shihet si porosi e fuqishme se rajoni do të jetë në fokus të strukturave të reja të Bashkimit Evropian.


MË SHUME NGA Lajme