‘Drita e Errësirës’ dokumentar i kurajës, qëndresës dhe dashurisë
Sh. Gashi|rtklive
‘Drita e Errësirës’ është film dokumentar që flet për kurajën, qëndresën dhe dashurinë.
Për të folur rreth këtij dokumentari, në programin e mëngjesit në RTK, ishin të ftuar Xhemajl Avdyli, regjisor dhe bashkëskenarist, dhe Anisa Ismajli, aktore dhe bashkëskenariste.
Anisa Ismajli tha se me këtë dokumentar ka realizuar një ëndërr të saj, por edhe të një gruaje.
“Është një projekt që është mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe një ndihmë të vogël e kemi pasur edhe nga Komuna e Prishtinës. Ne e kemi realizuar një ëndërr timen me realizimin e këtij filmi dokumentar, por edhe një ëndërr të një gruaje siç është Fjolla. Ajo, në moshën 3 vjeçare, u diagnostikua me diabet të tipit 1 dhe në moshën 20 vjeçare humbi plotësisht shikimin, por ajo nuk ndalet dhe vazhdon me sfidat e saj jetësore. Ajo i ka botuar deri tash tri libra dhe, kur e ka botuar librin e parë, ajo i ka thënë nënës së saj që ky libër do të bëhet film”, tha ajo.
Nga ana tjetër, Xhemajl Avdyli theksoi se dokumentari histori që i tregojnë familjarët.
“Ky film dokumentar vërtetë është shumë i veçantë për mua dhe vërtetë ka qenë edhe shumë emocionues. Përveç të gjithave, edhe ne nuk e kemi ditur se deri ku do të shkojë procesi. Ka kaq shumë emocione dhe ngjarje brenda këtij dokumentari, nga historitë që i tregojnë familjarët”, tha ai.
Anisa Ismajli përshkroi më tej se: “Ajo flet prej kur ka qenë e vogël, mandej kur ka filluar të shkojë në shkollë, si vazhdimisht e ka fshehur sëmundjen e vet. Mandej ajo tregon edhe për mësuesen që ia ka gjetur nëna vet dhe kujdesin e saj për të, pastaj tregon edhe se si e kanë ngacmuar nxënësit dhe kështu me radhë. Mandej, jeta vazhdon, kjo rritet dhe pasi që e humb krejt shikimin, takon Shpëtimin, tash burrin e saj, dhe thotë se ‘që nga ai moment e kam ditur që ky do të jetë burri im.’ Bile e tregon edhe një fjalë që ia tha ai: ‘Ti bëhu këmbët e mia, unë do të bëhem sytë e tu.’ Vërtetë, shumë emocionuese”, theksoi ai.
Ky dokumentar është një pasqyrë e jashtëzakonshme e një gruaje që ka kapërcyer vështirësitë e jetës, duke treguar se dashuria dhe kurajoja janë forca që mund të ndriçojnë edhe errësirën më të thellë.























