Ndikimi psikologjik i festave të fundvitit
BKT
Lajme

Ndikimi psikologjik i festave të fundvitit

Sh.G / RTKlive

Në programin e mëngjesit të RTK-së, psikologia Lirije Lokaj ndau mendimet e saj mbi ndikimin emocional dhe psikologjik të festave të fundvitit. Ajo theksoi se kjo periudhë shpesh perceptohet si "koha më e mirë e vitit," pasi ndriçimet dhe atmosfera festive u japin njerëzve një ndjesi shprese dhe optimizmi.

Sipas Lokajt, kjo ndjenjë pozitive shpesh ndodh në mënyrë të pavetëdijshme, duke i bërë njerëzit të reflektojnë mbi bukurinë e jetës.

Megjithatë, psikologia vuri në dukje edhe anën tjetër të medaljes, duke theksuar se jo të gjithë përjetojnë gëzim gjatë kësaj periudhe. Për disa individë, përjetimet personale, si humbjet e mëdha ose mosarritja e qëllimeve, mund ta bëjnë fundvitin një kohë të vështirë.

Sipas saj, "festat e fundvitit janë një farë amplifikimi i gjendjes momentale," duke bërë që emocionet ekzistuese të ndihen më të theksuara.

Nga ana tjetër, Lokaj përmendi ndikimin pozitiv të aktiviteteve festive, si rregullimi i shtëpisë, ndriçimet, përgatitjet e ushqimeve dhe darkat familjare. Këto elemente, sipas saj, rrisin ndjenjat pozitive, ulin stresin dhe ndihmojnë në përballimin e ankthit.

Mesazhi i saj theksoi rëndësinë e një balanci emocional dhe të ndërgjegjësimit për ndikimin që kjo periudhë mund të ketë te njerëzit me përvoja dhe sfida të ndryshme.


MË SHUME NGA Lajme