Kurti: E kanë humbur kontrollin në veri, prandaj bëjnë sulme terroriste
V.TH, V.S&M.M, A.B||RTKlive
(E plotësuar, 18:40) Kryeministri Albin Kurti gjatë seancës së sotme të Kuvendit ka thënë se suksesi kryesor i këtyre katër viteve të qeverisjes së tij është rritja ekonomike si dhe shtrirja e rendit dhe kushtetueshmërisë në veri.
“Ajo është 6.36 % e bruto produktit vendor mesatarisht në këto tri vite, asnjëherë pa rënë nën 4%. Në kuadër të kësaj rritje ekonomike kemi edhe dyfishim të importeve dhe më shumë se dyfishim të investimeve të huaja direkte. Kemi rritje shume të lartë të të hyrave në buxhetin e Kosovës nga tatimet, konkretisht në këtë vit janë mbi tre miliardë të hyra tatimore. Sivjet kemi të hyra tatimore 60% më shumë se në vitin 2019, 76% më shumë se në vitin 2020 dhe 39% më shumë se sa në vitin e parë të qeverisjes tonë. Kemi dyfishim të numrit të të rinjve të punësuar dhe mbështetje direkte në punësimin e mbi 12 mijë grave, paga minimale është 350 euro dhe kemi 18 mijë vende të reja të punës ose formalizim të vendeve ekzistuese të punës krahasuar me pranverën e vitit 2021”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, ai ka thënë se ka ra borxhi publik, vetëm 17% të bruto produktit vendor. Sipas tij ky është borxhi më i ulët publik i ndonjë shteti në Evropë.
“Shpenzimet kapitale në vitin 2023 kanë qenë më të lartat në histori të Kosovës 561 milionë euro dhe jo vetëm kaq, sivjet për tre çerekët e parë të vitit kemi 23 % më shumë shpenzime kapitale krahasuar me vitin e kaluar”, ka shtuar Kurti.
Ai tutje ka thënë se Qeveria e Kosovës nuk mund ta bëjë edhe prokurorinë edhe gjyqësinë.
“Prokuroria duhet ta zbardhë rastin e shokut tonë të mbytur në burgun e Prizrenit me 5 nëntor 2016 Astrit Dehari, por prokuroria nuk është reformuar. Ne i bëjmë katër vjet qeverisje por KPK-ja është e njëjta. Aty në krye edhe më tutje me ndikim e me funksion është Blerim Isufaj, i cili vrasjen e Dino Asanajt e shndërroi në vetëvrasje e vetëvrasjen e Ismet Sopës e shndërroi në vrasje, ky është problemi të nderuar deputetë”, ka nënvizuar Kurti.
Ai tha se pikërisht pse ka shumë më tepër sovranitet, integritet territorial, ligjshmëri, kushtetutshmëri në veri ka aksione terroriste.
“Dikur kur strukturat paralele të Serbisë e kanë kontrolluar veriun, ata nuk kanë pasur nevojë për sulme terroriste. Tash që nuk e kanë më, ata kryejnë aksione terroriste. Dikur i kanë pasur katër ndërtesat kryesore në katër komuna të stacioneve të policisë, prej 5 nëntorit 2022 kur bënë dorëheqje kolektive më nuk i kanë ato ndërtesa, prandaj tash e gjuajnë granatën e dorës më 26 nëntor në stacionin e policisë në Zveçan sepse aty është Policia e Kosovës. Kur ka qenë komandanti serb i policisë që merrte rrogën edhe në Prishtinë edhe prej Beogradit pse me gjuajt granatën e dorës, tash po e gjuan sepse s’është më aty”, është shprehur kreu i ekzekutivit.
Sipas tij pikërisht pse e kanë humbur veriun ata po i bëjnë këto sulme terroriste.
“Terrorizmi është pa fuqi, nuk është fuqi, është tmerr, frikë, krim, vrasje është dëmtim, po është pafuqi në thelb. Gjithçka ka filluar me datën 5 nëntor të vitit 2021 kur kolektivisht dhanë dorëheqje katër kryetarët e komunave në veri, deputetët e Listës Serbe, prokurorët dhe gjykatësit ne veri, ata dhanë dorëheqje sepse nuk ishin më në kuvend, kur ishin në kuvend nuk jepnin dorëheqje, më që nuk ishin në kuvend dhanë dorëheqje edhe atje në veri”, ka theksuar Kurti.
Sipas tij plani i Serbisë ka qenë që UNMIK dhe KFOR-i ta marrin veriun. Sulmet në veri, sipas Kurtit bëhen sepse është mbyllur banka popullore e Serbisë dega në Kosovë dhe drejtoria e thesarit në Leposaviq, nuk ka më as targa, as letërnjoftim, as patentë shofer ilegal të Serbisë.
“Në katër komunat në veri janë hapur zyrat kadastrale komunale, zyrat e agjencisë për regjistrimin e bizneseve të Kosovës, zyrat pensionale dhe zyrat e punësimit, zyrat e inspektoratit të punës, pikat e Postës së Kosovës dhe në dy pikat kufitare në Jarinje dhe në Bërnjak, ka filluar të paguhet energjia elektrike dhe i kemi shtuar 15 stacione te reja bazë të transmetimit të Valës. Është shtrirë infrastruktura dhe shërbimet përcjellëse të regjistrimit civil në katër komuna. Janë konfiskuar asetet e kryekriminelit Radoqiq në Banjskë etj”, ka theksuar shefi i qeverisë.
Ai tutje ka thënë se Kosova nuk ka infrastrukturë më të rëndësishme sesa kanalin e Ibër Lepencit, i cili është mbi 50 kilometra dhe është jetik për vendin.
“Nuk ka as tunel, as urë, as antenë, të rëndësishme se lëre më rrugë, sikurse kanali i Ibër Lepencit. Tash po kërkojmë edhe ndihmën e faktorëve ndërkombëtar për shkak se këto janë situata të reja ku shteti jonë nuk ka pasur përvojë më herët pa fajin e tij, faji është natyrisht i Serbisë edhe i Rusisë”, ka përfunduar Kurti.
Përplasje pozitë-opozitë rreth punës katërvjeçare të qeverisë
(E plotësuar, ora 14:00) Po vazhdon seanca e Kuvendit, e cila po shqyrton bilancin e katër viteve të qeverisjes. Pozita dhe opozita janë përfshirë në debat të ashpër mbi punën e qeverisë së Kosovës gjatë kësaj periudhe. Ndërsa pozita shpreh krenari për arritjet dhe projektet e realizuara, opozita argumenton se qeveria ka dështuar në përmbushjen e objektivave të saj kryesore.
Kurti: Blinken e Sullivan i kam takuar në Shtëpi të Bardhë e në Departament të Shtetit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka reaguar shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, për mungesë kontaktesh me zyrtarë të SHBA-së.
“Unë kam takuar Sekretarin Blinken në State Department, ndërkaq Jake Sullivan-in e kam takuar në Shtëpinë e Bardhë”, tha Kurti, teksa shtoi se në mungesë të fakteve debati mungon.
Maqedonci: Në asnjë rast ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke iu reaguar deputetëve të opozitës foli rreth situatës në ushtri.
Maqedonci u përqendruar në çështjen e ushqimit në kazerma, që sipas tij është banalizuar shumë. “Është e vërtetë që operatorët kanë mbetur pa i marrë mbi 13 milionë euro të parapara sipas një kontrate, por asnjëherë nuk kemi pasur mbetje të ndonjë ushtari pa bukë, në asnjë rast gjatë kësaj kohe”, tha Maqedonci, derisa shtoi se në fillim ka pasur vështirësi gjatë ndryshimit të konceptit të ushqimit.
“Kjo ka ndodhur kur kemi ndërprerë dhënies së kontratës emergjente për 9 vjet me rashë 10 herë një operatori, që ka dëmtuar ushtrinë”, tha ministri.
Tahiri: Migrimi i qytetarëve, fotografia më e dhimbshme e kësaj qeverisjeje
(E plotësuar 13:20) Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, duke i reaguar fjalimit të deputetit të LVV-së, Adnan Rrustemi, përmendi rastin e Fitore Pacollit, e cila, sipas tij, i dhuron nga 100 mijë euro dajës e vëllaut, pastaj rastin e ministrit të Mbrojtjes, që, sipas tij, la ushtrinë pa bukë për shkak të kontratave të korruptuara.
Tutje, Tahhiri kujtoi faljen e borxheve oligarkëve të vendit të ministrit Liburn Aliu që, sipas tij, arrijnë shumën e mbi 10 milionë eurove.
Sipas deputetit Tahiri, Kosova sot, pas katër vjet qeverisje një nga fenomenet më të dhembshme që ka goditur Kosovën është emigrimi i qytetarëve të vendit.
“Bazuar në statistika, gjatë katër vjetëve sipas statistikave të bëra nga Instituti GAP, del se rreth 50 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën brenda vitit”, tha Tahiri, derisa përmendi edhe institucionet tjera të bizneseve e të tjera që dokumentojnë se rreth 150 mijë punëtorë kanë lëshuar vendin.
Tahiri, duke iu referuar statistikave të ASK-së, përmendi qytetin e Gjilanit në regjistrimin e fundit të popullsisë, ku afro gjysma e qytetit figuron se ka emigruar.
“Pra fotografia më e dhimbshme e kësaj qeverisjeje është migrimi i qytetarëve tanë”, tha Tahiri.
Gashi: Kurti në asnjë moment nuk ka qenë në detyrën e tij si kryeministër
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se kryeministri i Kosovës ka pasur fjalimin më të gjatë në historinë e parlamentarizmit të Kosovës, por asnjë moment në detyrën e tij përfaqësues si kryeministër.
Ai tha se në fjalimin e tij nuk arritëm të shohim si kryeministër të vendit.
“E pamë si drejtor i një ndërmarrjeje publike, si drejtor të një spitali rajonal në Pejë, e pamë si drejtor çerdheje, e pamë si komandant ndërrimi të një stacioni policor, por asnjëherë në asnjë moment në asnjë rrethanë në lartësinë e tij kryeministrore”, tha Gashi.
Ai tutje tha se sot do të duhej parë zotimet e qeverisë dhe përmbushjet e tyre në sektorët kyç të vendit
Qeveria, sipas tij, ka paraqitur një listë të gjatë për zotimet e një sërë çështjesh si në infrastrukturë, në shëndetësi, në arsim, etj., derisa u ndal në çështjen e AKP-së, e cila, sipas Gashit, ishte premtuar nga qeveria se do të shuhet por që nuk është realizuar dhe “vazhdon privatizimi si asnjëherë më parë.
Gashi, tutje, përmend, sikundër tha ai, dështimet e qeverisjes Kurti, që përmendi Bankën Zhvillimore, e cila nuk është realizuar; nuk është realizuar punësimi për të rinjtë-Tekno Parkun për Inovacion; nuk është revitalizuar sistemi i të xeheroreve në vend, me theks të veçantë në Trepçë, etj. “Kjo qeveri e majtë, edhe pse premtonte bashkëpunimin me sindikatat, i ka denigruar, deligjitimuar, përbuzur publikisht në vazhdimësi”, tha Gashi.
Më tej, Gashi përmendi dështimin edhe në sistemin e drejtësisë, duke vënën në pah, sipas tij, ligjet që kanë qenë kundërkushtetuese
Rrustemi: Opozita minimizoi sulmin terrorist për përfitime politike

(E plotësuar 1248) Deputeti i Vetëvendosjes Adnan Rrustemi fjalimin e tij në këtë debat parlamentar e nisi me sulmin terrorist që dëmtoi kanalin e ujit të Ibër Lepencit.
Ai derisa ka falënderuar ata që dënuan fuqishëm këtë akt, kritikoi opozitarët që tha se zgjodhën të minimizojnë këtë akt për të cilin tha se do të mbahet përgjegjësie Serbia.
“Ne si shumicë parlamentare dhe përfaqësues të qytetarëve e dënojmë me forcën më të madhe këtë akt që mbanë gjurmët e një dore të jashtme, të një regjimi që kurrë nuk e ka pranuar ekzistencën tonë dhe që vazhdimisht punon për destabilizimin e Republikës dhe rajonit. Serbia do të mbahet përgjegjëse për këtë sulm. Gjersa falënderoj përfaqësuesit ndërkombëtar për reagimin e fuqishëm dhe solidaritetin dhe Policinë e Kosovës për veprimet e ndërmarra është për keqardhje që në vend të solidaritetit kombëtar disa zëra opozitar kanë zgjedhur të minimizojnë këtë akt e të manipulojnë opinionin publik duke tentuar të përfitojnë politikisht nga një situatë tragjike që Serbia orkestron kundër nesh”, tha ai.
Nis seanca e Kuvendit për katër vjet qeverisje

Vetëm pas tri herë tentimesh për prezencë fizike ka arritur të nisë seanca plenare e Kuvendit, ku po debatohet për punën katërvjeçare të qeverisë të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti. Debati nisi me fjalimin e kreut të deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, si parti që inicioi seancën, që në fakt ishte thirrur në marsin e këtij viti për të diskutuar për 3 vjet qeverisje e që u ndryshua në mbledhjen e fundit të kryesisë për t’u shndërruar në debat për katër vjet qeverisje të Kurtit.
Tahiri e ka quajtur Qeverinë Kurti si qeverinë që sipas tij theu rekorde me shkelje kushtetuese.
“E para, kjo qeveri është qeveria më rekorde e shkeljeve kushtetuese. Përgjatë këtij mandati 9 raste janë të konfirmuara nga Kushtetuesja si ligje antikushtetuese që, në esencë, kanë pasur kapjen e shtetit dhe dëmtimin e ekonomisë së lirë”, tha Tahiri para deputetëve.
Ai ka numëruar ato që, sipas tij, janë dështime e skandale të qeverisë në këtë mandat katër vjeçarë.
“Dështimi i dytë lidhet me një ndër problemet dhe skandalet më korrupitve të historisë së Kosovës të tenderëve njëburimorë. Gjatë periudhës 22 mars 2021 deri më 1 shtator 2024, kjo qeveri ka lidhur gjithsej 2123 kontrata me procedurë të negociuar, pa publikim e njoftim të kontratës një burimore në vlerë totale prej 272 milion e 954 mijë e 724 euro, të gjitha këto kontrata përfshijnë 775 aneks kontratat e 1348 kontrata të reja. E treta lidhet drejtpërdrejt me skandalin ambasadorit Martin Berishaj dhe pazareve që kanë ndodhur me energjinë, për çka qeveria e kryeministri duhet të tregojnë a kanë qenë në dijeni. Çështja e katërt me skandalin KEK, Nagip Krasniqi, sot ka një aktakuzë, rasti është në prokurori ndërsa hajnia, keqmenaxhimi është aq marramendës, deri te situata kur parapolitika na tregon kur ndalet e lëshohet rryma, tha Tahiri.
Sipas tij, kryeministri duhet t’u tregojë qytetarëve “për skandalin RTK, për deklaratat e tij ndaj institucioneve dhe medieve të pavarura, duke i akuzuar deri në atë masë që t’i lidhë me akuza që mund të jenë akuza jashtëzakonisht problematike për gazetarët”.
“Sot, duhet qeveria të tregojë si humbi rastin me Contour Global, të tregojë për skandalin për ‘Pagën Minimale’ të lidhjes me veteranët e UÇK-së, a ka qenë ai që ka urdhëruar kryetaren e grupit të flasë me Radoiçiqin dhe njerëzit që kanë pasur drejtpërdrejt ndikim në pagën minimale. Duhet të tregojë pse sot Kosova është e vetmja nën sanksione të BE-së. Si është e mundur që këmba e tij të mos shkelë në Departament në Shtetit, në Pentagon as në Shtëpinë e Bardhë”, tha ndër të tjera Tahiri, i cili paraprakisht bëri të ditur se deputeti i pavarur Haki Abazi nga sot i është bashkuar grupit të tyre kuvendar.























