Kurti: Suksesi në veri, rriti nervozen dhe agresivitetin e Beogradit
V.S|RTKlive
(E plotësuar 12: 35) Kryeministri Kurti, gjatë fjalimit të tij në Kuvendin e Kosovës, tha se sukseset për të vendosur rend e ligj në veri kanë rritur nervozën e agresivitetin në Beograd. Ai tha se deri tash janë zbuluar 12 lokacione apo depo të armatimit në katër komunat e veriore.
“Kjo po vazhdon, dikur për çdo muaj, më pastaj për çdo javë e tash për çdo ditë. Janë mbyllur komunat ilegale të Serbisë. Organizatat kriminale “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut” i kemi shpallur organizata terroriste me 29 qershor të vitit të kaluar dhe është eliminuar ndikimi i tyre si organizata në veriun e Kosovës. Kjo nuk do të thotë që nuk ka elemente kriminale ende atje. Pas 24 vjetësh në katër komunat e veriut janë hapur e funksionalizuar zyrat e regjistrimit të bizneseve e kadastrave, janë mbyllur 6 filiale të bankave të Serbisë”, vazhdoi kryeministri.
Ai tha se gjithnjë e më shumë qytetarë po bashkëpunojnë me shtetin e Kosovës.
“Mbi 4 mijë qytetarë serbë të Kosovës i kanë dorëzuar targat ilegale të lëshuara nga Serbia e janë pajisur me targa RKS e mbi 6 mijë qytetarë janë pajisur me patentë-shofer të Kosovës, e ky sukses i shtetit e rriti nervozen e agresivitetin në Beograd”, tha kreu qeveritar.
Kryeministri tha se nuk mund të kritikohet për mungesë njohjesh, sepse nuk i kishin pretime.
“Sa i përket politikës së jashtme kemi kaluar me sukses Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e kemi avancuar statusin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s. Kemi aplikuar për anëtarësim në BE dhe jemi anëtarësuar në 10 organizata ndërkombëtare. Jemi kritikuar pse nuk kemi njohje të reja, por duhet ta kuptoni një gjë as liberalizimin e vizave as njohjet e reja nuk i kemi dhënë premtime në fushatë”,tha ai.
U kërkoi deputetëve të dëgjojnë fjalimin e tij, sepse e thirrën vetë debatin e tha se po flet për katër vjet qeverisje e jo për katër javë.
“Kemi ofruar punë për gazetarët ukrainas e kemi pranuar 1961 refugjatë nga Afganistani me kërkesë të SHBA-së. Nuk është në rregull të qeshni kur flasim për refugjatë”, u tha kryeministri opozitarëve.
Kurti: Rritem buxhetin për armatim, për shkak të fqinjit agresiv verior
Kryeministri i vendit tutje ka folur për rritjen e buxhetit për mbrojtje e siguri. Tha se investimi në armatim po bëhet për shkak të fqinjit agresiv verior që po vazhdon t’i mohoj krimet e po vazhdon të provokojë.
“Ne do të dëshironim që në vend të shpenzonim për armatim e municion të shpenzonim për fushat tjera, por për shkak të fqinjit tonë agresiv verior që nuk na njeh, mohon krimet e luftës e vazhdimisht na provokon, dhe në anën tjetër për shkak të tensioneve të reja gjeopolitike, jo vetëm në kontinentin tonë e kemi trefishuar buxhetin e ushtrisë. E kemi dyfishuar numrin e ushtarëve të rekrutuar, dhe i kemi katërfishuar numrin e ushtarakëve të trajnuar jashtë vendit”, tha Kurti derisa tha se është hequr kufizimi i numrit të ushtarëve në FSK.
Tregoi se kanë blerë dronët luftarak Bayraktar nga Republika e Turqisë dhe sistemin anti-tank Javelin nga SHBA.
Kurti: E rritëm numrin e të punësuarve, e luftuam krimin e korrupsioinin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalën e tij para deputetëve, tha se qëndron para tyre me krenari dhe vetëbesim për qeverisjen e tij. Ai tha se kjo periudhë qeverisjeje ishte me përplot të arritura dhe me më shumë sfida se zakonisht. Sipas tij, qeverisja e LVV-së është një histori ndryshimesh që prekin jetën e qytetarëve.
“Këto histori suksesi flasin edhe për një të ardhme më të mirë që nuk e përjashton askënd dhe shifrat që do t’i prezantoj padyshim që kanë shpirt, meqë ato kanë vënë në lëvizje mirëqenien e qytetarëve, zhvillimin e tyre, mundësinë për të ardhmen pa diskriminim”.
Ai tha se ekonomia ka shënuar rritjen më të madhe në këto 3 vitet e fundit, që është 6.36 për qind e bruto produktit vendor.
“Kemi ulur borxhin publik, borxhin e kemi zbritur në nivelin prej vetëm 17 për qind apo për çerekun më të vogël, sesa që e kemi gjetur. Papunësia, që dikur ndjehej si një re e rëndë mbi familjet kosovare, sot ka rënë nga 25. 8 për qind në 10.7 për qind. Sfidë që na mbetet në këtë aspekt është aktivizimi më i madh i grave”, tha kreu qeveritar para deputetëve.
Sipas tij në ditën kur mori postin e kryeministrit në marsin e 2021-tës, kishte 350 mijë të punësuar e sot janë 430 mijë.
“Pra 80 mijë më shumë, sesa në pranverën e vitit 2021. Dhe kjo është rritje prej 22 për qind e punësimit. Në anën tjetër, ne e dimë që nuk mjafton të krijosh vende pune, por është e domosdoshme që sektori privat të ketë rritje aktiviteti e shpresë për rritje të biznesit e ta riinvestojnë fitimin se ai shprehje e qartë e optimizmit në ekonomi që është faktor i rëndësishëm për zhvillim e në këtë aspekt kemi kaluar nga 12 miliardë euro qarkullim në 22 miliardë. Kemi bërë mbështetje direkte në punësimin e 12 mijë grave. Pagën minimale e kemi të re, 350 euro nga ajo që e kemi gjetur 130 e 170 euro”, vijoi fjalën e tij kryeministri.
Kurti tha se rritja ekonomike është duke iu falënderuar luftimit të krimit të organizuar korrupsionit.
“Është rritur për rreth 50 për qind buxheti për policinë, 124 grupe kriminale janë shkatërruar, prej tyre 43 grupe për krime ekonomike e korrupsion, dhe 40 grupe në luftim kundër drogës. Rreth 300 zyrtarë publikë janë arrestuar mbi 4. 5 ton substanca narkotike janë konfiskuar; 37 rrugë ilegale janë mbyllur prej tyre 29 në veri të vendit; 6 laborator për prodhimin e kriptovalutave janë shkatërruar në veri; 9 stacione policore për mbikëqyre të kufirit i kemi në veri, nuk ka qenë asnjë më herët”, tha kryeministri.























