`Filharmonia në lëvizje` vazhdon me sukses koncertin në Prizren
Sh.G / RTKlive
Programi `Filharmonia në lëvizje` vazhdon të bëjë bujë dhe destinacioni i radhës ishte Prizreni.
Orkestra Frymore e Filharmonisë së Kosovës, nën drejtimin e Dario Salvit, solli një koncert të paharrueshëm në Teatrin e Qytetit ‘Bekim Fehmiu’.
Interpretimi i veprave të kompozitorëve të njohur vendorë, si dhe të huaj, u prit me duartrokitje nga publiku i pranishëm.
Koncerti u hap me veprën 'Illyrian Dances', nga Guy Woolfenden, një krijim që emocionoi publikun. Pas kësaj, orkestra vazhdoi me një pjesë epike, The Gael (The Kiss), nga filmi ' I fundit i Mohikanëve' i Trevor Jones, dhe një tjetër moment magjik – 'I Dreamed a Dream' nga Claude-Michel Schönberg, ku solist ishte saksofonisti i njohur Dardan Gjinolli.
Në dy pjesët e fundit të koncertit, orkestra u bashkua me 'Korin e Meshkujve' i Filharmonisë së Kosovës për të interpretuar veprat 'In a Persian Market' dhe 'In a Monastery Garden', të kompozuara nga Albert Ketèlbey.
Ky bashkëpunim i jashtëzakonshëm krijoi një atmosferë të mrekullueshme, duke bërë që ky koncert të mbetej në memorien e publikut të Prizrenit për shumë kohë.
Filharmonia e Kosovës vazhdon të sjellë artin dhe muzikën e saj afër publikut të gjerë, duke e bërë këtë program një sukses të vazhdueshëm.























