Ekspozita `Trashëgëmia në ngjyrë`
Teuta Mujaj|RTK
"Trashëgimia në ngjyrë" është ekspozita e artisteve Qëndresa Krasniqi dhe Elvira Shyti-Kasapolli, të cilat punimet i kanë paraqitur me motive të traditës shqiptare të ekspozuara ne Kult Galeri.
Veprat e artit paraqiten në forma dhe madhësi të ndryshme, të cilat pasqyrojnë vlerat e historisë dhe identitetit tonë kombëtar.
Artistja Qëndresa Krasniqi, në pikturat e saj pasqyron imazhe shumëngjyrëshe elemente që karakterizon veshjen më të vjetër shqiptare-xhubletën.
Xhubleta e njohur ndërkombëtarisht na kujton rëndësinë dhe vlerat, të cilat i ka ruajtur edhe sot, e të cilat, në raste të caktuara, shndërrohen në art.
Shqiponja është një simbol kombëtar shqiptar që përfaqëson krenarinë, forcën,lirinë dhe lidhjen me identitetin kombëtar.
Në mesin e këtyre 10 punimeve me dimensione të ndryshme, janë paraqitur edhe qilimat me detaje si simbole tradicionale shqiptare, që pasqyrojnë jetën e zakonshme familjare të shqiptarëve vepra këto të paraqitura nga artistja Elvira Shyti-Kasapolli.
Qilimi, si dhe motivet e xhubletës, në këto punime shfaqen si një urë në mes të brezave, duke na kujtuar se arti ka fuqi të mbartë mesazhe nëpërmjet ngjyrave.























