Blushi: Librin më të mirë nuk e kam shkruar akoma!
BKT
Kulturë

Blushi: Librin më të mirë nuk e kam shkruar akoma!

Intervistoi: Vera Pelaj|Radio Kosova

Shkrimtari Ben Blushi, pas romanit “Komploti”, tanimë ka ardhur te lexuesi me romanin më të ri “Parajsa artificiale”. Në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, duke folur për “Parajsa artificiale” ndër të tjerat thotë se: “Njerëzimi ëndërron për mirë dhe përpiqet t’i realizojë ëndrrat e veta. Kështu ka ecur përpara. Ëndrra besoj se është një nga motorët e historisë së njerëzimit.”

Radio Kosova: Z. Blushi, përderisa sot flitet kudo për inteligjencën artificiale, ju shkruani për “Parajsën artificiale”. Çfarë është kjo parajsë në romanin tuaj?

Ben Blushi: Ne jemi mësuar që në parajsë shkohet pas vdekjes. Ky është çmim që ta ka dhënë Zoti. Pra, Zoti ka thënë se duhet të vdesësh që të shkosh në parajsë, pastaj në ferr. Kurse, unë them që ka dhe rrugë të tjera për të shkuar në parajsë. Pra, ne mund të krijojmë parajsë tokësore pa pasur nevojë të vdesim. Në parajsë njerëzimi mund të shkojë përmes shkencës, e jo përmes Zotit. Rruga përmes shkencës në këtë rast është rruga përmes teknologjisë dhe inteligjencës artificiale. Mendoj që inteligjenca artificiale mund ta bëjë botën më paqësore, shumë më të barabartë, duke e ndarë njeriun nga puna fizike në radhë të parë dhe nga paraja në radhë të dytë.

Radio Kosova: Personazhi juaj në tre libra “Simon Shuteri”, keni thënë se te ” Parajsa artificiale” shpëton një vajzë nga kotësia, zbrazëtia dhe dëshpërimi duke e mësuar si të ëndërrojë”. Sa kanë vlerë ëndrrat në një botë të tillë artificiale?

Ben Blushi: Një botë pa ëndrra do të ishte shumë e shëmtuar, sepse ëndrra nënkupton ambicie. Pra, njerëzimi ëndërron për mirë dhe përpiqet t’i realizojë ëndrrat e veta. Kështu ka ecur përpara. Ëndrra besoj se është një nga motorët e historisë së njerëzimit. Në rastin konkret, libri zhvillohet ndërmjet dy personazheve nga ora nëntë e mëngjesit deri në orën nëntë të darkës, pra në dymbëdhjetë orë. Është një burrë relativisht i moshuar ose jo shumë i moshuar, i mesëm, që ka një marrëdhënie me një vajzë më të re sepse ajo ka një dramë familjare. Ai përpiqet ta qetësojë duke ia treguar një ëndërr. Kush është ëndrra? Është parajsa artificiale, parajsa se si do të jetë bota pas shumë vitesh.

Radio Kosova: A ka dashuri brenda kësaj parajse artificiale dhe nëse po, si është trajtuar në roman?

Ben Blushi: Pse quhet libri “Parajsa artificiale”? Jo se parajsa do të jetë artificiale por sepse në parajsën që mund të vijë pas 100 vjetësh, 500 vjetësh, një mijë vjetësh në tokë, mund të shkojmë përmes inteligjencës artificiale. Pra, jo përmes njeriut por përmes makinave, përmes një truri artificiale i cili mund ta bëjë botën tonë shumë më të mirë dhe shumë më të jetueshme duke na shmangur nga luftërat, nga epidemitë, nga plakja. Plakja është një nga armiqtë më të mëdhenj të njeriut dhe sa njerëz vuajnë nga plakja. Nëse inteligjenca artificiale përmes përparimeve shkencore të mjekësisë e shmang ose e zhduk plakjen, është e bukur, apo jo? Atëherë kemi shkuar në parajsë.

Radio Kosova: Çka mendoni se i keni sjellë të re letërsisë me “Parajsën Artificiale”, përveç kësaj parajse?

Ben Blushi: “Parajsa artificiale” është një libër edhe për mua relativisht i çuditshëm. Pse? E para, është shumë i shkurtër, unë në përgjithësi shkruaj gjatë, “Parajsa artificiale” është shumë i shkurtër, kjo është bërë me qëllim për të komunikuar më kollaj me njerëzit. Njerëzit sot lexojnë shumë pak, fatkeqësisht, sepse koha e tyre e lirë ose merret me trajtimin e emocioneve që njeriu ka gjatë ditës, gjatë jetës, dhe dramave ose shkon në netfliks, shkon në internet, në rrjete sociale e në gjëra të tjera. Letërsia ka shumë pak vend në kohën e njeriut në krahasim me çka ka pasur para 100 vjetësh. Kështu që unë e kam bërë këtë libër sa më të shkurtër për të komunikuar me njerëzit. E dyta, libri “Parajsa artificiale” nuk ka rrëfim, ka vetëm dialog. Dy njerëz që flasin nga ora nëntë e mëngjesit deri në orën nëntë të darkës dialogojnë. Dikush pyet, dikush përgjigjet…është një bisedë pafund e ndarë në 14 kapituj dhe në dy kapituj të mëdhenj, Ferri dhe Parajsa. Pjesa e parë është Ferri kur ai burri sajon një luftë imagjinare me Iranin dhe pjesa e dytë është që sajon një parajsë artificiale. Ky është libri. 

Radio Kosova: A duhet t’i frikohemi inteligjencës artificiale në letërsi?

Ben Blushi: Ka shumë njerëz që e kanë frikë inteligjencën artificiale. Mendojnë që inteligjenca artificiale përveçse do të zhdukë shumë profesione, mund të zëvendësojë policët p.sh, dhe do të ishte shumë mirë, mund të zëvendësojë gjyqtarët, do të ishte shumë mirë, mund të zëvendësojë kamerierët, rojet, mjekët, do të ishte shumë mirë, por mund të zëvendësojë edhe shkrimtarët, pse jo?! Në të ardhmen mund të ndodhë që inteligjenca artificiale mund të shkruajë dhe romane, mund të ndodhë. Sot ka aplikacione ku mund të bësh poezi për një vajzë, për një grua. Edhe mund të ndodhë, pro unë mendoj që njerëzimi do ta kalojë këtë rrugë për të kuptuar çfarë i vlen, letërsia e njeriut apo letërsia artificiale e inteligjencës artificiale. Nuk e dimë!.

Radio Kosova: Secili roman i juaji po bënë bujë në publik. Ju, cilin e konsideroni si më të arriturin tuaj deri tani?

Ben Blushi: Nuk i ndaj dot librat e mi dhe nuk do të doja t’i ndaja. Libri më i mirë i imi, sipas meje, është libri që nuk e kam shkruar akoma.

Radio Kosova: Keni qenë dhe në politikë. Sa ju ka ndihmuar ajo në të bërit letërsi?

Ben Blushi: Nuk më ka ndihmuar fare, më ka prishur punë. Në kohën kur jam marrë shumë me politikë, kam shkruar më pak, ose kur kam pasur konflikte të mëdha politike kam humbur lexues. Nuk më ka shërbyer për mirë. Më ka shërbyer vetëm për një gjë mirë, ta njoh të keqen pak më mirë. Politika aty më ka ndihmuar ta shoh të keqen nga afër, nga brenda sistemit.

Radio Kosova: Në romanin “Komploti”, të cilin e keni promovuar dhe në Prishtinë, keni shkuar shumë përpara me vite me zhvillimet në Shqipëri. Po Kosovën, si e shihni pas shumë vjetësh?

Ben Blushi: Jam njeri që besoj dhe shpresoj shumë që Kosova me Shqipërinë do të bashkohen me çdo kusht. Duhet të bashkohem me çdo kusht, sipas meje. Për fat të keq, ky sentiment patriotik është zbehur pak në Kosovë viteve të fundit, për çka nuk më vjen mirë. Unë jam nga ata që mendoj që shqiptarët në përgjithësi qofshin të Kosovës qofshin të Shqipërisë, janë në një moment delikat shpirtëror, kanë një rënie emocionale, kanë një lloj depresioni, dëshpërim. Sikur e ardhmja është pak e zymtë. Bashkimi do të ishte një energji e jashtëzakonshme. Ne jemi popull i madh por do bëhemi edhe më i madh. Do të krijonim shumë energji të brendshme. E vetmja rrugë që ne të bëhemi popull edhe më i madh dhe të kemi një të ardhme pak më të ndritur në raport me popujt e tjerë. Nuk ka rrugë tjetër përveç bashkimit, them unë. 

Radio Kosova: A do ta promovoni këtë “Parajsën artificiale” edhe në Prishtinë?

Ben Blushi: Në Prishtinë shkoj me shumë qejf dhe nëse me ftojnë ta promovoj, pse jo. Ende nuk kam marrë ndonjë ftesë.

Radio Kosova: Një porosi për dëgjuesit e Radio Kosovës?

Ben Blushi: Kam shumë lexues në Kosovë. Libri im “Komploti”është botuar në Kosovë nga “Dukagjini” dhe jam shumë falënderues. Edhe për këtë shkak por edhe për shkak se kam raporte të mira me lexuesit e Kosovës. I kam pasur aty disa promovime dhe jam i bindur që do të më lexojnë prapë. 


MË SHUME NGA Kulturë