Deputetja Reshitaj bashkohet me ‘Guxo’, Gërvalla e quan grua të fortë
BKT
Lajme

Deputetja Reshitaj bashkohet me ‘Guxo’, Gërvalla e quan grua të fortë

V.S|RTKlive

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Albena Reshitaj i është bashkuar partisë “Guxo”. Këtë e bëri të ditur kryediplomatja kosovare, Donika Gërvalla që është bashkë drejtuese e kësaj partie. Gërvalla e quajti Reshitajn grua të fortë e me profesionalizëm të dëshmuar.

“E rritur në një familje që mishëron vlerat patriotike dhe përkushtimin profesional, prof. Dr. Albena Reshitaj ka dëshmuar vendosmëri dhe lidership në kohët kur Kosovës i nevojiteshin më shumë se kurrë stabiliteti dhe reformat. Angazhimi i saj i guximshëm ka lënë gjurmë, si në politikë ashtu edhe në shoqëri, duke i kthyer profesionalizmin dhe integritetin në shtylla të veprimtarisë së saj. Së bashku do të punojmë me guxim e vendosmëri për një Republikë të fortë e të zhvilluar të Kosovës”, ka shkruar Gërvalla.

Reshitaj nisi mandatin si deputete e AAK-së, por rrugët e tyre u ndanë pasi e njëjta votoi në prillin e vitit 2021 Vjosa Osmanin për presidente, ndryshe nga vullneti i partisë që atë kohë i përkiste. Gjatë rrugës Reshitaj aktivitetin e saj në Kuvendin e Republikës e vazhdoi si deputete e pavarur.

Gjatë fjalimit të saj në Kuvend, pak kohë para se të bëhej publik aderimi i saj në partinë “Guxo”, ajo përgëzoi kryetarin Konjufca për qëndrimin siç tha ajo dinjitoz karshi Listës Serbe të cilët u kthyen pas 6 muajsh në Kuvend vetëm për t’u nënshkruar që t’i vazhdohet mandati.

Gjatë fjalimit të saj, Reshitaj disa herë përmendi fjalën guxo, duke lënë kështu të kuptohet për rrugën e saj politike.

 

 


MË SHUME NGA Lajme