Kuvendi vazhdon punimet në orët e natës, miratohen disa projektligje
BKT
Lajme

Kuvendi vazhdon punimet në orët e natës, miratohen disa projektligje

V.S|RTKlive

(E Përditësuar 23:53) Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vazhduar punimet edhe pas orës 23:00. Gjatë kësaj seance e cila u mbyll në orën 23:46 u miratuan pesë projektligje.

Para mesnatës, deputetët e AAK-së, Besnik Tahiri dhe Pal Lekaj u paraqitën në seancë. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancë për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se nuk ka asnjë logjikë që seanca rë mbahet në këto orë të vona.

"Kjo nuk ka asnjë logjikë, e vetmja arsye pse jemi sonte këtu bashkë me Palin është sinqerisht me u thënë se kjo nuk ka asnjë logjikë, asnjë argument, është kontrabandim i ligjeve, shmangie me procedurë të shpejtë pa kurrëfarë mundësie. Ne nuk ishim këtu, ne e bëm një veprim politik. Sinqerisht këtë porosi deshtëm me e jep edhe me u thënë se kjo nuk ka asnjë kuptim, është një kontrabantim dhe një puq parlamentar si shumicë, po përfundoi, kaq e keni”, tha ai.

Ndërkohë, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se seanca duhej të përfundonte me patjetër sonte sepse sipas tij javën e ardhshme, deputetët mund ta kenë një udhëtim në Bruksel.

Projektligjet që u miratuan pak para mesnatës janë:

-Projektligji për financimin e menaxhimit të resurseve ujore
-Projektligji për Inspektoratin Qëndror të mjedisit, ujërave, natyrës, ndërtimit dhe për mbrojtjen nga rrezatimi dhe siguria bërthamore
-Projektligji për Inspektoratin Qëndror të Trashëgimisë Kulturore
-Projektligji kundër dukurive negative në sport
-Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr 08/L-168 për Prokurorinë Speciale

Në fund shefja e Grupit Parlamentar e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, tha se kjo ishte një ditë shumë e suksesshme, ku u miratuan 18 ligje.

”Një falënderim për të gjithë ju deputetë e fundit që keni qëndru në sallë stoikisht për 14 orë. Sot kemi miratu 18 ligje. Kemi votu 5 raporte”, deklaroi ajo.

(20:53) Votohet në lexim të dytë Projektligji për Lojërat Mesdhetare

Në seancën plenare e cila po vazhdon ende në Kuvendin e Kosovës me 63 vota deputetesh ka kaluar në lexim të dytë Projektligji për Lojërat Mesdhetare XXI “Prishtina 2030”.

Gjithashtu në këto orë deputetët me 63 vota i dhanë dritë jeshile edhe Projektligjit për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimin e Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.

Në lexim të dytë kaloi edhe Projektligji për Shërbimet e Pagesave, i cili mori 62 vota deputetësh.

Aty u shqyrtua edhe Projektligji për Provimin e Maturës Shtetërore, ku mori votat e deputetëve. Me këtë pikë u mbyllë seanca maratonike, por një tjetër u hap menjëherë me kërkesë të 40 deputetë të mazhorancës me vetëm një pikë të rendit të ditës.

Me shmangie të procedurave iu hap rrugë shqyrtimit të Projektligjit për Gjykatën Administrative

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi tha se kjo ka qenë një nga zotimet e tyre të rëndësishme politike në funksion të avancimit të drejtësisë administrative.

Kryetari Konjufca tha se fjalimi i Rrustemit ishte pak fjalim i Komisionit e pak i Vetëvendosjes.

Ligji kaloi me 62 vota, dhe kështu u mbyllën edhe punimet e seancës së veçantë, që kishte veç këtë pik.

Ndërkaq kryaparlamentari mori miratimin e deputetëve që t’i kthehen pikave të mbetura më herët për siç tha t’i shkojnë agjendës deri në fund.

Pikat që nuk arritën të diskutohen në mungesë të opozitës si propozues thase barten për një seancë që kreu i Kuvendit e quajti eventuale.

 


MË SHUME NGA Lajme