Bislimi pret eurodeputetin Terras, kërkon avancim të Kosovës drejt Evropës
BKT
Lajme

Bislimi pret eurodeputetin Terras, kërkon avancim të Kosovës drejt Evropës

M.P. / RTKlive

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pritur Raportuesin për Kosovë në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.

Sipas komunikatës për media, Bislimi e uroi eurodeputetin për pozitën e tij të re si dhe e falënderoi Parlamentin Evropian për përkrahjen e vazhdueshme për Kosovën, si në procesin e liberalizimit të vizave, progresit dhe avancimit të Kosovës si dhe rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Zëvendëskryeministri Bislimi nënvizoi rëndësinë e avancimit të rrugëtimit të Kosovës drejt BE-së dhe trajtimit serioz dhe meritor të aplikimit të Kosovës të dhjetorit të vitit 2022. Në takim u diskutua dhe rreth sfidave dhe perspektivës në këtë proces, potenciali i Kosovës për progres dhe zhvillim, angazhimi në Planin e Rritjes si dhe procesi i dialogut”, thuhet në komunikatë.

Bislimi ka përmendur gjatë takimit edhe zbatueshmërinë e reformës ERA II, e cila arriti prej 72% nga 45% sa ishte në qeverisjet e kaluara, ndërsa në Programin Kombëtar për Integrim Evropian, niveli i zbatueshmërisë së reformave vitin e kaluar arriti në 66.12%.


MË SHUME NGA Lajme