Sopranoja Arta Jashari do të prezantohet me koncert recital
BKT
Kulturë

Sopranoja Arta Jashari do të prezantohet me koncert recital

Sh.G / RTKlive

Nesër në orën 19:30, sopranoja e njohur Arta Jashari do të prezantohet me një koncert recital në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë. E ftuar në programin e mëngjesit të RTK-së, Jashari ndau emocionet dhe detajet e këtij koncerti të veçantë.

“Këtë koncert e kam bërë me vet iniciativë dhe, me këtë rast, fillimisht dua ta falënderoj edhe Radio Televizionin e Kosovës, i cili është sponsor medial i këtij koncerti. Përveç kësaj, dua t’i falënderoj edhe kolegët e mi që kanë qenë të gatshëm të jenë pjesë: Andi Duraku, pianist, dhe Avni Krasniqi, trumpetist, normalisht për një koncert të tillë duhet një ekip e njerëzve me profesione te ndryshme por jam e habitur me ndihmën që më është bërë në momentin që unë e kam bërë ftesën te secili”, tha ajo.

Sopranoja theksoi se repertori është përzgjedhur me kujdes për të përfaqësuar profesionalizmin dhe nivelin e saj aktual vokal.

“Unë këtë program e kam kuruar tash, duke u nisur nga ajo se ku gjendem tani në aspektin profesional dhe vokal. Jam munduar të përzgjedh vepra të cilat i përkasin të gjitha epokave muzikore dhe të gjitha me frymën e Krishtlindjeve, sepse dy recitalet që i kam pasur më parë kanë qenë diçka krejt tjetër. Unë gjithmonë kam dëshirë që koncertet e mia të kenë një temë”, tha Jashari.

Në këtë recital do të prezantohen vepra të njohura ndërkombëtare, duke premtuar një natë të paharrueshme për dashamirët e muzikës klasike.

 Ky koncerti do të mbahet në Katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë ku edhe do të prezantohen vepra të njohura ndërkombëtare.


MË SHUME NGA Kulturë