Dokle: Vlerat e vërteta mbeten në fund, sepse jepet urdhri ‘Mbrapa kthehu’
Vera Pelaj| RTK-Radio
Ish- politikani dhe shkrimtari shumë i njohur Namik Dokle, për Radio Kosovën, përveç se ka folur për krijimtarinë e tij letrare, në veçanti për romanin, i cili u vlerësua me çmimin e nderit “At Zef Pllumi”, “Dhjetë gramë nder”, ka folur dhe për ditarin e tij të shkruar gjatë kohës sa ishte në politikë, i cili ka katër mijë faqe, është i përgatitur, por do ta botojë më vonë.
Ai thotë se gjatë kohës sa ishte në politikë, nuk e ndiente veten të lirë për të shkruar ashtu siç dëshironte të shkruante.
"Me qëllim të caktuar, katër vjet para se të mbaroja politikën, kam deklaruar se nuk do të kandidojë më sepse do të merrem me një ëndërr të vjetër timen”, tha Dokle.
Zotëri Dokle, “Vallëzim me hënën”, që është përmbledhje legjendash, ashtu si edhe librat e tu paraprakë, po përkthehet në gjuhë të huaja. Çfarë është ky vallëzim me hënën?
Namik Dokle: “Vallëzim me hënën”, është një libër me legjenda, të cilat në fakt tregojnë shpirtin e një populli, tregojnë mitet, traditat, zakonet. Kanë qenë gati duke humbur dhe jam përpjekur që ato legjenda t’i ritregoj me atë realitet çka e kam njohur, me ato këngë çka i kam dëgjuar, por edhe duke i ritreguar në mënyrë letrare. Marr shembull nga shkrimtarët si Mitrush Kuteli, që ka ritreguar një pjesë të përrallave të kombit tonë. Pra, është një mënyrë e të ritreguarit të gjërave që të mos humbasin, që të mbeten, sepse janë një thesar i shpirtit dhe traditave të popullit tonë. Është botuar në gjuhën boshnjake dhe këto ditë botohet dhe në spanjisht. Ideja për ta bërë këtë libër më ka lindur në Madrid gjatë promovimit të romanit tim “Vajzat e mjegullës”. Pasi takova një botuese, po i tregoja sidomos për zonën e veriut, për Gorën, Lumën, etj, më tha: “Pse nuk i shkruan këto gjëra? Do t’i botoja me shumë kënaqësi”. Ky ishte impulsi i parë për të shkruar këtë libër me legjenda, disa prej të cilave janë aty-këtu nëpër romanet e mia. Disa nga ato i kam treguar në romanin “Vajzat e mjegullës”, disa të tjera në “Lulet e skajbotës”, legjenda që mban titullin “Vallëzim me hënën” është në romanin “Ditët e lakuriqëve të natës”, e kështu me radhë. Mendova që këto të mos mbeten të shpërndara si kashta nëpër qoshe të ndryshme, por t’i mbledh në një libër dhe mendoj që ka dalë diçka e mirë përderisa dhe botuesja spanjolle e ka vlerësuar. E kuptoj që e ka vlerësuar sepse ilustrimet e legjendave në spanjisht i ka bërë një piktor, i cili ka marrë çmime ndërkombëtare dhe ka ilustruar midis të tjerave tregimet e Gorkit dhe librat e Dostojevskit. Më vjen mirë që ajo ka gjetur këtë vlerësim dhe ka ftuar një piktor të tillë që të bëjë ilustrimet e këtij libri në spanjisht.
Keni dhe një roman me titull “Dhjetë gramë nder”. Për çfarë nderi bëhet fjalë?
Namik Dokle: “Dhjetë gramë nder”, nuk po them unë, por po citoj një shkrimtar tonin, Thanas Medi, i cili jeton në Greqi dhe librat e tij janë përkthyer në greqisht, rumanisht, spanjisht, etj. Ai romanin “Dhjetë gramë nder”, e ka quajtur “poema e degjenerimit moral të një shoqërie”, sepse në këtë roman ka një mpleksje të realizmit me distopinë, tregohet që në shoqërinë tonë një pjesë e vlerave kanë filluar të humbasin dhe dalin vlera të tjera në sipërfaqe. Këtë po e them vetëm me një detaj. Njëri nga personazhet takon personazhin kryesor dhe kur personazhi kryesor shikon se si një injorant është bërë biznesmen i madh, e pyet: “Si ka mundësi?” Ai i thotë: “Unë isha në fund të listës, në fund të rreshtit, u dha urdhri “Mbrapa kthehu” dhe unë erdha në krye, ti mbete në fund”. Pra, vlerat e vërteta nganjëherë ngelen në fund, sepse jepet urdhri, “Mbrapa kthehu”. Ky është thelbi i romanit, ndërsa elementi i subjektit është që një djalë, të cilit në fëmijërinë e vet, një nga familjarët e vet i ka thënë: “Urdhëro 500 lekë dhe shko më blej dhjetë gramë nder”. Shkon, e shëtit gjithë qytetin, pastaj kthehet e i thotë: “Nuk blihej asgjëkund nder”. Mirëpo, sot në kohën tonë, ka ardhur një kohë që edhe nderi të blihet. Madje, jo vetëm për të gjallët, por edhe për të vdekurit. E ky nuk është nder, por një degjenerim moral, për të cilin letërsia, shkrimtari, mbetet gjithmonë i shqetësuar!
Në ditët e sotme, sa arrin shkrimtari të ndikojë te lexuesit, në këtë rast, përmes librit “Dhjetë gramë nder”?
Namik Dokle: Kam vënë re që libri ka pasur jehonë të mirë. Ai u përurua në panairin e vitit të kaluar dhe i gjithë tirazhi i librit u shit pa mbaruar ende panairi. Edhe sot pyes se cili nga librat e mi kërkohet më shumë, më thonë se kërkohet “Dhjetë gramë nder”. Kjo më sjell kënaqësi, pastaj sa ndikim do të ketë, varet gjithmonë nga lexuesit sepse realisht ne e lexojmë librin, por edhe libri na lexon ne. Për një situatë të caktuar, librin dikush e kupton ndryshe dhe dikush krejt ndryshe nga lexuesi tjetër. Në këtë kontekst, është vështirë që të përcaktohet se sa ndikim mund të ketë libri. Ne gjithmonë urojmë dhe dëshirojmë që libri të ketë ndikim, por besoj se ka pasur ndikim sepse kam dëgjuar që një gazetar i njohur më ka thënë që: “Atë që nuk e ke arritur në politikë, më duket se e ke arritur me ketë libër”. Një personalitet i lartë shtetëror më ka thënë:” E kam lexuar dy herë dhe më ke vënë në mendime!” Uroj të jetë! Ne për këtë shkruajmë, që të na lexojnë!
Keni një varg romanesh, të cilat sa herë që botohen bëjnë bujë dhe zgjojnë kureshtjen e lexuesve. Sa kanë lidhshmëri ndërmjet vete romanet?
Namik Dokle:Tre romanet e parë kanë shumë lidhshmëri ndërmjet vete sepse zhvillohen në të njëjtin mjedis, në veri të Shqipërisë, në Gorë, romani “Vajzat e mjegullës”, “Lulet e skajbotës” dhe “Ditët e lakuriqëve të natës”, çka janë në bazë të kritikës letrare, trilogji. Unë i kam konsideruar si një triptik, por ka kritikë që thonë se është një trilogji e mirëfilltë. Mendoj që fakti që të tre romanet janë përkthyer edhe në gjuhën boshnjake, turke e spanjolle, njëri prej tyre, tjetri në gjuhën angleze e kështu me radhë, shpresoj që të kem krijuar atë unitet të nevojshëm për atë që thoni ju, lidhje. Ndërkohë, edhe romanet e tjera, “Kolerë në kohë të dashurisë”, apo “Covid 1984”, apo së fundmi “Dhjetë gramë nder”, e kanë atë lidhjen sepse mua më shqetëson se çfarë përjetojmë ne si shoqëri, çfarë kemi përjetuar dhe çfarë përjetojmë dhe ku do të shkojmë me këto fenomene që ndodhin. Gjithmonë jam i shqetësuar që janë disa gjëra, siç e përmenda në fillim, që hierarkia e vlerave të këtij populli, hierarkia e vlerave të kulturës tonë, hierarkia e vlerave të gjuhës shqipe, të mos preken. Ka momente që ato preken dhe ne natyrisht jemi njerëz që duhet ta themi të parët fjalën në mbrojtje të tyre. Kjo është lidhja e të gjithë librave të mi që kam botuar.
Jeni shkëputur komplet nga politika. Sa iu ka ndihmuar jeta në politikë për të krijuar letërsi?
Namik Dokle: Është e vërtetë që politika më ka ndihmuar që të kem njohje mjaft të mirë të halleve që përjetojnë njerëzit, të psikozave që vuajnë njerëzit, të dëshirave që kanë njerëzit dhe të atyre çfarë nuk janë realizuar. Sidomos romanin “Kolerë në kohë të dashurisë”, “Covid 1984”, dhe romanin e fundit “Dhjetë gramë nder”, ndoshta nuk do t’i shkruaja dot po të mos kisha kaluar atë universitetin e mirë apo të keq të politikës. Në këtë kuptim, mendoj që politika më ka dhënë jetën, elementët jetësorë që janë të domosdoshëm në letërsi. Natyrisht, vetëm me këto elemente nuk mund të shkruash sepse në qoftë se ke elementet, ke jetën, ke faktet, por nuk të funksionon laboratori krijues, atëherë mbetet gjithçka e dështuar. Jam shkëputur nga politika me ndërgjegje të plotë sepse politika dhe letërsia, për mendimin tim, nuk mund të bashkëjetojnë te një person në të njëjtën kohë. Gjatë kohës sa isha në politikë, nuk e ndieja veten të lirë për të shkruar ashtu siç dëshiroja të shkruaja. Me qëllim të caktuar, katër vjet para se të mbaroja politikën, kam deklaruar se nuk do të kandidojë më sepse do të merrem me një ëndërr të vjetër timen. Unë edhe para se të hyja në politikë kam botuar shumë libra, i kam vënë në skenë tetë drama, kam botuar libra me tregime dhe u riktheva te dashuria e parë dhe më duket që kam bërë gjënë e duhur.
Në një intervistë më herët kam lexuar që keni deklaruar se: “Po të jetë për politikë, unë do ta botoja ditarin tim që është katër mijë faqe. Nuk dua ta botoj tani, por patjetër që do ta botoj ndonjëherë”. Kur do ta kemi në duar atë ditar?
Namik Dokle: Në të vërtetë e kam përgatitur por, nuk do ta botoj të paktën për një pesëvjeçar.
Në Kosovë vini shpesh. Çka mendoni për të në aspektin letrar, por dhe në atë politik?
Namik Dokle:Vij me shumë dashuri për Kosovën sepse që në kohën kut isha gazetar, në kohën e Partisë së Punës, kam punuar me një mik timin nga Peja, Ibrahim Çavolli, dhe çdo ditë ai më fliste për Kosovën me një dashuri dhe mall të jashtëzakonshëm. Ai thoshte: “Kur do të vijë ajo ditë që të shkoj ta shoh Kosovën, të shoh dhe Qyshkun, fshatin tim afër Pejës”. Natyrisht, kanë ndikuar dhe faktorë të tjerë në këtë ndjesi timen për Kosovën, për kulturën e saj, për traditat, për popullin, por Ibrahimit nuk ia harroj. Unë dhe Ibrahimi, pas çlirimit të Kosovës nga skllavëria dhe tirania e Millosheviqit, kemi shkuar dhe e kemi parë bashkë për herë të parë Kosovën. E kemi parë Prishtinë, pastaj Qyshkun, pastaj Pejën dhe kemi shkuar dhe atje ku rrjedh Drini i Bardhë. Uroj që politika edhe jeta e Kosovës, të jetë e bardhë, siç ka emrin Drini!
Jetojmë në kohën kur inteligjenca artificiale ka hyrë çdo kund. A duhet t’i frikësohemi kësaj inteligjence në letërsi?
Namik Dokle: Ka shkrimtarë që shkruajnë me entuziazëm edhe për inteligjencën artificiale. Kjo inteligjencë natyrisht është sukses i njerëzimit, por unë kam lexuar një libër të një biologut tonë të shquar, profesor Et’hem Ruka, i cili është një nga biologët më të mirë që ne kemi. Ka studiuar në Francë dhe ka qenë profesor në universitet për lëndën e biologjisë. Ai shkruan me shqetësim lidhur me inteligjencën artificiale, por edhe me elementë të tjerë të shkencave moderne, të cilat nëse përdoren në të mirë të njerëzimit do të jenë me të vërtetë një gjë e mrekullueshme, por nëse keqpërdoren për qëllime të tjera, për qëllime sundimi, për qëllime të shërbimeve sekrete, etj, ato do të sjellin dëme të pariparueshme. Tani po bëhet një eksperiment që të futët një çip në kokën e njeriut dhe ai të lexojë mendimet e dikujt tjetër. Këto janë eksperimentet e para, siç shkruan profesor Ruka, por nëse kjo arrihet në një masë të madhe, atëherë ne do të jemi të gjithë të kontrolluar nga një kompjuter. Sot të gjitha na i dinë. Në qoftë se edhe e porosisim një picë, diku dëgjohet se e kemi porositur atë. Mendoj që kjo mënyrë e kontrollit të njeriut nga teknologjia nuk duhej të ishte e mirë, ndërkohë çdo gjë tjetër e inteligjencës artificiale, çdo gjë tjetër e shpikjes së shkencës së sotme, të teknologjive të sotme të jashtëzakonshme, është e mirëpritur sepse është në dobi të njerëzimit. Këta lloj celularësh që i kanë dhe nxënësit e gjimnazit, janë dhjetë herë më të fuqishëm se sa kompjuteri që drejtoi “Apollo 11”, që çoi Neil Armstrongun që zbriti në hënë. Çfarë përparimi shkencor i madh është bërë tani! Duke u përdorur në dobi të njerëzimit është mrekulli, por në qoftë se keqpërdoret, është një gjë që më shqetëson e nganjëherë edhe më frikëson, jo për veten, natyrisht.
E përmendet që ka dhe shkrimtarë shqiptarë që shkruajnë për inteligjencën artificiale. Çka mendoni për letërsinë mbarëshqiptare që po krijohet në ditët e sotme?
Namik Dokle: Në Shqipëri janë të rrallë shkrimtarët që i janë futur kësaj teme të inteligjencës artificiale dhe mendoj që është mirë sepse mund të shkruash për inteligjencën artificiale, por varet se çfarë mesazhi sjell. Me sa kam lexuar deri tani, ato vepra që janë me këtë temë, flas për letërsinë shqipe, kanë sjellë mesazhe pozitive. Ndërkohë, letërsia shqipe, për mendimin tim, është një letërsi që e nderon kulturën shqiptare. Shkrimtarët vazhdojnë të krijojnë vepra të mira, qoftë shkrimtarët të cilët kanë një përvojë të gjatë, qoftë shkrimtarët e rinj. Sot gjen vepra të mira të Zija Çelës, Besnik Mustafajt, Nasi Lerës, Ben Blushit, Ylljet Aliçka, Diana Çulit, etj. Por, gjen edhe vepra të shkrimtarëve të rinj si Liridon Mulaj, Ervin Nezhaj, Andreas Dushi, të cilët janë një premtim për faktin që letërsia shqipe do të vazhdojë rrugën e saj pa stopime. Kjo është gjë shumë e mirë sepse kjo letërsi ka jetën e vet dhe do të ketë jetëgjatësinë e vet. Ka dhe autorë shumë të mirë të Kosovës, të cilët nuk i përmenda, meqë jemi në Tiranë.
Keni shkruar dhe drama. Teatrot sot, çfarë duhet të zgjedhin për skenë?
Namik Dokle: Është fatkeqësi që teatrot tanë bredhin më shumë pas dramave të huaja dhe kjo ka dekurajuar ata që shkruajnë ose mund të shkruanin drama. Shoh pak autorë që merren me shkrimin e dramave dhe ka dhe pak teatro që vënë në skenë drama të vendit. Kështu ndodh jo vetëm me dramën, por edhe me letërsinë në përgjithësi. Ka shumë shtëpi botuese që botojnë më tepër libra të autorëve të huaj se sa të autorëve shqiptarë. Ka botues që thotë se kam sukses të madh sepse 80% të librave që botoj janë letërsi e huaj. Për këtë nuk ka ndonjë gjë për t’u lavdëruar. Mund të lavdërohesh atëherë kur boton letërsi të mirë të autorëve shqiptarë. Ky raport ndoshta duhet rregulluar dhe mbi të gjitha, ne pastaj duhet të përpiqemi për të botuar letërsinë shqipe në gjuhë të huaja. Këtë vit unë kam kënaqësinë që kam përgatitur për botim antologjinë poetike të Naim Frashërit në spanjisht. Kam folur, natyrisht edhe me sugjerimin e Baba Mondit, që të botonim diçka në Spanjë nga Naim Frashëri dhe përkthyesja e Kadaresë, e cila ka përkthyer dhe librat e mi. Maria Roses Gonsales, mori përsipër të përkthejë poezinë e Naimit sepse është poet kombëtar, poeti ynë më i madhi dhe është mirë që ta fillojmë me rilindësit. Vitin e ardhshëm ajo do të botojë Migjenin, ndërkohë ka përkthyer “Përrallat shqiptare”. 104 përralla janë botuar në spanjisht, por kësaj radhe është botuar te Shtëpia Botuese “Naimi”, pra “Naimi” ka botuar Naim Frashërin dhe në shkurt do të botohet në Madrid. Është antologjia poetike e cila i ka të gjitha poezitë e Naimit të botuara në “Lulet e verës”, një pjesë të madhe të poemës “Skenderbeu” dhe një pjesë të madhe të poemës “Qerbelaja”, që e kemi botuar në të dy gjuhët, shqip dhe spanjisht. Gjatë kohës së përkthimit kam bashkëpunuar me përkthyesen, për çdo gjë që ajo kishte dilema në përkthimin e një fjale apo një shprehje dhe pastaj jam marrë edhe me përgatitjen e gjithë librit për botimin e tij në të dy gjuhët.
Një mesazh për dëgjuesit e Radio Kosovës?
Namik Dokle: Ta doni sa më shumë Kosovën, por për të dashur sa më shumë Kosovën, duhet të doni kulturën dhe gjuhën shqipe qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë dhe në të gjitha trojet tona!























