Kryeziu Hana: Kori ka pasur shumë paraqitje gjatë këtij viti
K. K. / RTKlive
Këto ditë shënohet njëvjetori i themelimit të Korit të Grave dhe Vajzave të Gjakovës, që titullohet “Besa”, me ç’rast do të organizohet një koncert, po ashtu do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Këndimit Koral.
Klodiana Kryeziu-Hana, themeluese dhe dirigjente e korit, tha se kori ka pasur shumë paraqitje gjatë këtij viti, që nga themelimi, që nga koncerti i parë që, sipas saj, vlen për të theksuar pjesëmarrjen në festivalin e koreve në Gjakovë, organizimi për tetorin rozë gjithashtu në “Radio Fest”, një festival i radiove shqiptare, të cilin e organizon Radio Gjakova.
Ajo në “Mirëmëngjesi Kosovë” pohoi se “Kori përbëhet nga gra dhe vajza të profesioneve të ndryshme, mësuese, doktoresha, studentë, disa janë të muzikës, disa të drejtimeve të tjera, dmth është një laramani e profesioneve, mirëpo ajo që na bashkon është dashuria ndaj këndimit dhe pasioni ndaj muzikës”.
Ndër të tjera, ajo tha se “duke pasur parasysh që kori ka pasur shumë paraqitje gjatë këtij viti, kemi parë që kemi ngritur pozitën e gruas në një nivel më të lartë për shkak se e kemi pasur përkrahjen e institucioneve, por edhe përkrahjen e madhe nga publiku”.
“Kryesisht këndojmë këngë të vjetra qytetare, por disa edhe nga zhanri argëtues dhe i sjellim në mënyrë pak më të veçantë, i adaptojmë, pak i ndryshojmë, sepse nuk dëshirojmë të humbim origjinalitetin, me qenë sa më mirë të transmetuara te publiku”, shtoi ajo.























