Vetura përplas turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, dy të vdekur
BKT
Foto: CNN
Lajme

Vetura përplas turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, dy të vdekur

G.K.&M.M./RTKlive

(E plotësuar) Një makinë është përplasur në një turmë në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg të Gjermanisë. Dy persona thuhet se kanë vdekur, duke përfshirë një fëmijë të vogël, sipas kryeministrit të qeverisë lokale, Reiner Haseloff.

Një i rritur dhe një foshnjë janë ndër viktimat e sulmit në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, sipas kryeministrit rajonal të Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff.

Sulmuesi i dyshuar në sulmin ndaj tregut të Krishtlindjeve është nga Arabia Saudite, thotë Haseloff

Sipas Reiner Haseloff, sulmuesi i dyshuar në sulmin ndaj tregut të Krishtlindjeve është një mjek nga Arabia Saudite që punon në Saksoni-Anhalt,

I dyshuari jeton në Gjermani që nga viti 2006, deklaroi Haseloff në një deklaratë televizive.
Ai shtoi se të paktën dy persona kanë humbur jetën.

Sulmuesi i dyshuar në tregun e Krishtlindjeve në Gjermani ka vepruar i vetëm, thotë kryeministri rajonal i Saksoni-Anhalt

Sipas informacioneve paraprake, sulmuesi i dyshuar në sulmin ndaj tregut të Krishtlindjeve ka vepruar i vetëm, deklaroi të premten kryeministri rajonal i Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff.

"Jemi aktualisht në proces të mbledhjes së të dhënave të tjera dhe gjithashtu të zhvillimit të marrjes në pyetje. Sipas informacionit aktual, kemi të bëjmë me një autor të vetëm, prandaj nuk ka më rrezik për qytetin, pasi arritëm ta arrestojmë atë," tha Haseloff gjatë një deklarate të transmetuar të premten në mbrëmje.
Autoritetet lokale thonë se afro 70 persona janë të plagosur, nga të cilët 15 në gjendje të rëndë.

Policia dyshon për një mjet shpërthyes në automjetin e autorit dhe zona ku ka ndodhur sulmi është e rrethuar, raporton Reuters.

Vetura përplas turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg, një i vdekur

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të premten në mbrëmje në qytetin e Magdeburgut, Gjermani, ku një makinë hyri në turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjeve.

Sipas mediave gjermane, të paktën një person ka humbur jetën, ndërsa disa të tjerë janë plagosur. Zëdhënësi i qytetit, Michael Reif, konfirmoi se ka një numër të madh të lënduarish.

Rreth 60 deri në 80 persona janë plagosur, thanë për CNN shërbimet lokale të zjarrfikësve dhe emergjencave.

Policia ka arrestuar shoferin e automjetit, ndërsa tregu i Krishtlindjeve është mbyllur menjëherë pas incidentit. Shërbimet emergjente ndodhen në vendngjarje, duke ofruar ndihmë për të plagosurit dhe duke hetuar rrethanat e ngjarjes.

Kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff, e ka quajtur këtë një ngjarje të tmerrshme.

"Është një ngjarje tragjike, veçanërisht tani, në ditët para Krishtlindjeve," deklaroi ai, ndërsa nisej për në Magdeburg.

Matthias Schuppe, zëdhënës i qeverisë rajonale, ka shprehur dyshime se incidenti mund të jetë një sulm.

Friedrich Merz, kandidat për kancelar nga CDU, ka reaguar ndaj tragjedisë, duke shprehur ngushëllime për viktimat dhe falënderime për ekipet emergjente që po punojnë në vendngjarje.

Edhe zëvendëskancelari Robert Habeck ka reaguar me tronditje. "Lajm i tmerrshëm nga Magdeburgu, ku njerëzit dëshironin të kalonin sezonin e Adventit në paqe dhe harmoni. Mendimet e mia janë me viktimat dhe familjet e tyre," tha ai, raporton dw.

Magdeburgu, kryeqyteti i landit Saksoni-Anhalt, me rreth 240,000 banorë, është tronditur nga kjo ngjarje, e cila ka ngjallur reagime të forta në të gjithë vendin.

Bild.de


MË SHUME NGA Lajme