Peci: Vendimi i KQZ-së nuk mund të konsiderohet për konsum ditor|VIDEO
BKT
Lajme

Peci: Vendimi i KQZ-së nuk mund të konsiderohet për konsum ditor|VIDEO

V.S|RTKlive

( E plotësuar) Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka thënë se vendimi i KQZ-së për mos certifikimin e Listës Serbe nuk mund të konsiderohet si vendim për konsum ditor. Ai në “RTK Prime” tha se nuk duhet të lejohet të krijohen emërtime e formulime të tilla që kontestojnë shtetësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.

“Aq më tepër kur dihet që ata janë të involvuar në veprime terroriste dhe të pjesë së sulmeve në këto dy vitet e fundit në veri. Kjo nuk mund të tolerohet edhe të vazhdohet edhe më tutje duke tentuar të përligjet, kontestohet shtetësia e pjesa zyrtare e emërimit, Republika e Kosovës.

Ai tha se mekanizmat kushtetues, siç është KQZ-ja funksionojmë mbi bazën e legjislacionit e kushtetutës dhe çdo subjekt politik që synon garën zgjedhore duhet të plotësojë kuadrin ligjor.

“Nuk mund të ketë aspekt të diskriminimit pozitiv në rrethana të tilla për shkak që çdo iniciativë apo çdo subjekt politik duhet t’i nënshtrohet pjesës së kompletimit të pakos së ligjeve e kritereve që duhet plotësuar. Përderisa eksitojnë edhe mekanizma të tjerë të ankimimit sigurisht që ata e shfrytëzojnë të drejtën derisa të ezaurohet çdo mundësi ligjore e kushtetuese. Unë nuk i di të gjitha specifikat e brendshme se si kanë ardhur deri tek një vendim i tillë, por në anën tjetër të gjithë duhet përfundimisht të jenë të vetëdijshëm që funksionimi i shtetit ligjor dhe e drejta kushtetuese e ligjore duhet të funksionojë për të gjithë pa përjashtim”, tha ai.

Tha se nuk mund që njëkohësisht të jesh pjesë e institucioneve të Kosovës edhe njëkohësisht të punohet në baza ditore për të minuar shtetësinë e Kosovës.

“Mbrojë idenë dhe qëndrimin që çdo tentativë e kontestimit të ligjshmërinë e kushtetutshmërinë e Kosovës duhet të marr përgjigjen e merituar nga të gjitha instancat e Republikës, pa përjashtim”, tha Peci në “RTK Prime”.

Peci: Ka ekzistuar një vlerësim që shkuarja ndaras e Vetëvendosjes dhe Guxo rrezikonte një rezultat prej 50 për qind

Bashkëdrejtuesi i partisë Guxo foli edhe për zgjedhjet dhe partneritetin me Vetëvendosjen.

Tregoi se këshilli i përgjithshëm i partisë kishte diskutuar për gati 6 orë dhe  shumica e anëtarëve ishin që partneriteti të vazhdohej.

“Ka ekzistuar një vlerësim që shkuarja ndaras e Vetëvendosjes dhe Guxo hapë mundësinë që të rrezikohej bashkërisht një rezultat prej 50 për qind”, tha Peci.

I pyetur se si mund ta dinë forcën e tyre kur janë bashkë në një listë me Vetëvendosjen, tha se atë nuk mund ta dinë me saktësi, por nuk garojnë për të treguar forcë te LVV-ja, por për të dhënë dëshminë se një partneritet që ka ekzistuar në këtë qeveri meriton edhe një mandat të dytë.

Peci tha se forca reale e partisë Guxo do të shihet në zgjedhjet lokale ku tregoi se në shumicën e komunave do të garojnë individualisht.

Peci: Ministri nuk di kush aplikon për subvencione

Ministri i Bujqësisë në RTK Prime foli edhe për rastin e subvencionimit të vëllait të deputetes Fitore Pacolli. Ai tha se ministri nuk e sheh asnjë aplikim.

“Unë personalisht kurrë nuk e di cili është individi që aplikon për subvencione. Në të kaluarën ka pasur akterë të rëndësishëm politik, ata që e kanë ushtruar pjesën e ndikimit për të ushtruar pjesën e ndikimit për të përcaktuar kush është përfitues i subvencioneve ose i granteve. Kësaj radhe për një moment doli akuza që vëllai i deputetes Fitore Pacolli është përfituese. Po, është përfituar, unë nuk e kam ditur e kam shprehur pjesën e interesimit, kam thënë verifikoni kush është personi në fjalë. Çështja e parë është që ministri nuk e ka asnjë ndikim. E dyta, ministri nuk e ka ushtruar asnjë ndikim. E treta askush nuk e verifikon kush është personi dhe çfarë lidhje familjare me kënd ka”, tha ai.

Sipas tij, në të kaluarën një numër i madh i zyrtarëve që janë arrestuar dhe kanë pranuar fajësinë për marrje ryshfeti dhe ka fermerë që kanë vendime të formës së prerë  kanë dhënë ryshfet. Ndërsa gjatë mandatit tonë nuk është asnjë zyrtarë që është thirrur në prokurori për ndonjë rast ku pretendohet që është zhvilluar ndonjë vepër korrupsioni”, tha tutje ai

Foli edhe për rastin me Gratë e Krushës. Sipas tij të tjerët deshtën të manipulojnë me dhimbjen, sakrificën dhe vështirësitë e tyre.

“E kam parë pjesën e konferencës, por nuk e di sinqerisht pse më janë drejtuar mua. Ka pasur konstatim që unë kam interferuar që mos të jenë ata përfitues të grandit ndërsa njëkohësisht ka fituar një vëlla i një deputeteje. Unë kam shkuar në ministri e kam pyetur, më tregoni çka ka ndodhur me gratë e Krushës meqë dhembja e tyre është dhembje e Kosovës, por pavarëisht kësaj nuk mund të interferojë as në raste të tilla. Kam parë që PDK e krijoi një slogan duke shfrytëzuar tragjedinë kombëtare që ka ndodhur në Krushë. Unë kam parë që gjatë periudhës kur PDK drejtoi Ministrinë  e Bujqësisë ata janë shpallur fillimisht fitues të grantit e pastaj i është anuluar granti”, deklaroi Peci.


MË SHUME NGA Lajme