Sabedini: Etika, standard, disiplinë e verifikimit
BKT
Kulturë

Sabedini: Etika, standard, disiplinë e verifikimit

K. K. / RTKlive

Musa Sabedini, gazetar, publicist, autor i librit “Etika, mburojë e gazetarisë profesionale”, theksoi se shkelje të etikës ka gjithkund në botë, në Amerikë, Gjermani, Evropë, “por problem te ne ishte që medie online ishte pak e re, filluan të punojnë pa standarde të etikës”, e që, sipas tij, “etika asgjë tjetër s’është pos standard, disiplinë e verifikimit e që, nëse arrin të verifikosh një tekst problematik, atëherë nuk e ke problem të raportosh, pra hulumto, verifiko dhe raporto”.

Ai në “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK tha se libri është studimor, u dedikohet studentëve të gazetarisë, njerëzve profesionistë, redaktorëve, themeluesve, botuesve dhe të gjithë atyre që e duan me shpirt gazetarinë.

“Etika është mbretëresha e gazetarisë. Po të respektohet, po të verifikohen informacionet, dalim media profesionale. Po ta respektojmë në përgjithësi etikën, kodet, parimet sigurisht që gazetaria do të ishte në nivel krejt ndryshe”, pohoi Sabedini.

Tutje ai tha se është libër që u dedikohet problemeve, defekteve të shumta që ka brenda medieve të Kosovës.  “Nuk jam marrë me problemet në Ukrainë, në Rusi. Jam marrë me problemet që i ka media në Kosovë, mediet online në veçanti, dhe pjesa televizive e mediet e shkruara nëse ka mbetur ndërkohë”, tha ai.

Libri i tij ka tre kapituj dhe secili prej tyre ngërthen tema që ndërlidhen me etikën.


MË SHUME NGA Kulturë