Verma: Sanksionet ndaj NIS-it nuk janë kundër Serbisë
Anamari Repiq, RTK /Beograd
Pas vizitës në Prishtinë, delegacioni i lartë amerikan i kryesuar nga zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard Verma, qëndroi në Beograd.
Në qendër të bisedimeve mes dy delegacioneve ishin sanksionet ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) dhe dialogu strategjik serbo-amerikan. Verma deklaroi se sanksionet ndaj NIS-it nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, por kundër Rusisë, ndërsa presidenti Vuçiq theksoi se sanksionet janë një lajm i keq dhe kërkoi zgjatjen e afateve.
Sanksionet e drejtuara ndaj entiteteve ruse, përfshirë Industrinë e Naftës së Serbisë, janë të synuara dhe nuk janë të drejtuara kundër Serbisë, deklaroi zëvendëssekretari amerikan i shtetit për menaxhim dhe burime, Richard Verma.
Pas takimit me presidentin e Serbisë, Verma tha se qëllimi i këtyre sanksioneve është eliminimi i pronësisë ruse dhe se SHBA do të bashkëpunojë me udhëheqësinë serbe për të gjetur një zgjidhje që sanksionet ndaj NIS-it të mos dëmtojnë ekonominë serbe.
“Kur bëhet fjalë për sanksionet, është e qartë se ato janë të drejtuara kundër agresionit rus dhe jo kundër Serbisë dhe popullit serb. Prandaj, ne do të punojmë së bashku për të siguruar që zbatimi i tyre të mos ketë ndikim negativ në ekonominë serbe”, tha Verma.
Verma theksoi se ndryshimi i strukturës së pronësisë në NIS do t’i ndihmojë Serbisë të diversifikojë burimet e saj energjetike dhe të bëhet më e pavarur.
“Realiteti është se NIS është kompania më fitimprurëse serbe, por ai fitim, si pjesë e pronësisë ruse, nuk përdoret për investime në të ardhmen e Serbisë, por për të financuar agresionin brutal në Ukrainë, duke minuar kështu stabilitetin e Ballkanit dhe Evropës.”
Garanci se sanksionet ndaj NIS nuk janë kundër Serbisë për presidentin Vuçiq është “ngushëllim i dobët”. Ai theksoi se nevojiten bisedime shtesë për të përcaktuar kushtet për largimin e kapitalit rus nga NIS-i, duke theksuar rëndësinë e sigurimit të furnizimit të qëndrueshëm me naftë dhe derivate.
“Nuk mund të them 'faleminderit' për sanksionet. Rusët do të goditen shumë më shumë nga disa sanksione të tjera sesa nga këto. Presim vendime dhe duhet të bisedojmë edhe të paktën shtatë deri në dhjetë ditë me amerikanët për të ditur se cilat janë kushtet. Gjithashtu, duhet që afatet e zbatimit të jenë më të gjata dhe më fleksibile.”
Zyrtari amerikan dhe presidenti serb njoftuan fillimin e dialogut strategjik midis Beogradit dhe Uashingtonit, i cili u vlerësua si një kapitull i ri në marrëdhëniet shumëvjeçare mes dy vendeve.
“Partneriteti ynë përfshin një spektër të gjerë temash për të cilat kemi diskutuar, përfshirë përparimin në integrimet evropiane dhe sigurimin e paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor,” tha Verma.
“Dialogu strategjik nuk do të zgjidhë të gjitha problemet dhe mosmarrëveshjet, veçanërisht për çështjen e Kosovës, por hap mundësi të rëndësishme për qeveritë e ardhshme të Serbisë dhe administratat e ardhshme në Shtetet e Bashkuara. Për ta, ne jemi një vend i vogël, por interesimi për të hapur dialog strategjik me Serbinë tregon se marrëdhëniet tona janë përmirësuar”, tha Vuçiq.
Dialogu strategjik pritet të përfshijë bashkëpunimin ushtarak, energjinë, sundimin e ligjit dhe thellimin e lidhjeve ekonomike. Delegacioni amerikan theksoi se SHBA, së bashku me korporatat e saj, që nga viti 2022 kanë investuar mbi 300 milionë dollarë në Serbi.
Në delegacionin amerikan ishin edhe ndihmëssekretarin amerikan të shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, James O’Brian, zëvendësndihmëssekretari amerikan të shtetit për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof, si dhe ambasadori Kristofer Hill.
























