Ismaili: Mungesa e hapësirave dhe mbështetjes mediale sfidat e `Artpolis`
BKT
Kulturë

Ismaili: Mungesa e hapësirave dhe mbështetjes mediale sfidat e `Artpolis`

Sh.G / RTKlive

Në një intervistë të drejtpërdrejtë në RTK, Venera Ismaili, menaxhere e projekteve në organizatën "Artpolis", foli mbi sfidat dhe arritjet e kësaj organizate, e cila promovon kulturën dhe artin në Kosovë.

Sipas Ismailit, "Artpolis" po përgatitet për një sërë aktivitetesh gjatë vitit, por përballet me sfida të shumta, si mungesa e hapësirave mediale për të promovuar punën e tyre.

"Politika ka kapluar televizionet dhe ka shumë emisione mediokre, duke na lënë jashtë hapësirës për të promovuar artin që ne bëjmë", theksoi ajo.

Tutje Ismaili tha se një tjetër pengesë madhore janë hapësirat publike për prezantimin e artit. "Ne varemi shumë nga hapësirat publike. Për shembull, Teatri Kombëtar është në renovim dhe salla e improvizuar e këtij teatri është gjithmonë e zënë. Po ashtu, teatrot tjera kanë programet e tyre dhe ne detyrohemi të bëjmë kërkesa të përditshme për orare që përshtaten për ne. Kjo është një sfidë e përhershme për të siguruar hapësirën e duhur për të prezantuar punën tonë," tha Ismaili.

Megjithatë, pavarësisht këtyre sfidave, ajo tha "Artpolis" mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të promovuar artin dhe kulturën si një mjet për ndryshime pozitive në shoqëri.


MË SHUME NGA Kulturë