`Krejt e thirrin Rexhën`, premierë sonte në Prishtinë
K. K. /RTKlive
Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” nga Ibër Deari sonte do ta ketë premierën në kinemanë “Cineplexx” në Prishtinë nga ora 19:30. Aktori Afrim Muçaj, i cili ka rolin kryesor në këtë film, në RTK theksoi se ideja e filmit ka për bazë migrimin dhe ka shumë nëntema brenda. Sipas tij, trajtimi më i madh u bëhet pasojave të migrimit.
“Krejt e thirrin Rexhën” vjen nga një fenomen real në fshatin Sllupçan, ku njerëzit shpesh e thërrisnin një individ me emrin Rexho për t’i ndihmuar për punët në shtëpi apo kopshte. Por e gjithë ngjarja është një shpërfaqje artistike e një fenomeni tashmë aktiv në Maqedoninë e Veriut, përgjithësisht edhe në Ballkan: migrimin dhe pasojat që lë pas në vendet përkatëse.
Muçaj në ‘Mirëmëngjesi Kosovë’ në RTK theksoi se “ngjarjen e bart mbi supe Rexho”. “Filmi është i ndërtuar përmbi pesë-gjashtë storie të vogla. Rexho shkon me punu nëpër ato shpija dhe bëhet pjesë e problemeve të atyre njerëzve”, bëri me dije ai për përmbajtjen e filmit.
Muçaj, po ashtu, tha se “tjetër element i rëndësishëm është aktori Adem Karaga që personifikon rolin e Miftarit, një rol me presion psikologjik që ia bën Rexhos”.
Ai shtoi se temë tjetër është raporti në çift, burrë-grua. “Element tjetër që mundet me qenë interesant është se vonë te shqiptarët kanë filluar të punojnë gratë”, tha Muçaj.
Në rolet e tjera luajnë aktorët Adriana Matoshi, Ledion Mulaku, Adem Karaga, Mirsad Abazi, Bereda Reshit, Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Adrian Aziri, Daniela Markaj, Sara Bajrami.























