Konjufca takon ambasadorin e Japonisë, flasin për bashkëpunim mes vendeve
V.S|RTKlive
Kryetari i Kuvendit të Kosovë ka pritur sot në takim ambasadorin e ri jorezident të Japonisë për Kosovën, Kiminori Iwama, duke shënuar kështu takimin e parë mes tyre.
Sipas njoftimit, kryeparlamentari Konjufca ka shprehur bindjen se me punën e përbashkët do të ruhet bashkëpunimi mes vendeve, me ambicie që të shtrihet e thellohet edhe më tej.
“Po ashtu, u diskutuan mundësi të bashkëpunimit në fusha si ajo e tregtisë dhe investimeve, si dhe programe të bursave për teknologjinë”, thuhet në njoftim.
Në këtë takim të parë, thuhet se Konjufca ka shprehur bindjen se bashkëpunimi me ambasadorin Iwama do të jetë i frytshëm, duke forcuar edhe më shumë partneritetin mes të dyja vendeve.
Gjithashtu, gjatë ditës, kryeparlamentari konjufca ka zhvilluar edhe një tjetër takim me një tjetër ambasador, atë të Jordanisë, Hazem Issam Al-Khatib Al-Tamimi.

“Në këtë takim u diskutua rreth çështjeve të interesit të përbashkët dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, me perspektivën e thellimit të mëtejshëm të raporteve dhe zhvillimit të mundësive të tjera të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë edhe atë parlamentare”, thuhet në njoftimin për këtë takim.
Aty tutje thuhet se, ndër fushat më prezente të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Jordanisë janë ato të mbrojtjes dhe sigurisë, për të cilat bashkëbiseduesit u pajtuan se duhet të zgjerohen edhe më tej, si një mënyrë për shkëmbimin e përvojave dhe rritjen e kapaciteteve.
“Kryetari Konjufca e falënderoi ambasadorin Al-Tamimi për vizitën e tij dhe për diskutimin e frytshëm, duke i uruar atij qëndrim sa më të mirë e sa më produktiv në Republikën e Kosovës, e duke u shprehur i bindur për ruajtjen dhe thellimin e mëtutjeshëm të raporteve mes vende, në shumë drejtime”, thotë Drejtoria për Media e Kuvendit të Kosovës.























