Nesër shfaqet premiera “Hope” në Ditën Botërore Kundër Kancerit
BKT
Kulturë

Nesër shfaqet premiera “Hope” në Ditën Botërore Kundër Kancerit

K. K. / RTKlive

Nesër në Ditën Botërore Kundër Kancerit në atelienë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë, do të jepet premierë shfaqja “Hope”. Sinan Kajtazi, drejtor i Baletit Kombëtar të Kosovës theksoi se për Baletin Kombëtar të Kosovës ky është një moment që do të ngelet në historinë artistike, pasi po japin një kontribut për një shtresë shumë të rëndësishme dhe shumë delikate.

Ai në emisionin 'Mirëmëngjesi Kosovë' në RTK tha se e kanë pasur si kërkesë prej organizatës ‘Action for Health’ që t’i bashkohen kësaj kauze që është mjaft me rëndësi. “Është premiera e parë, e kemi futur në planprogramin  e punës për vitin 2025. Shfaqjen ia kemi besuar balerinit dhe korografit Sead Vuniqi, i cili për më tepër se prej tre javësh bashkë me balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, një ekip prej nëntë vetash e kanë përgatitur një performancë”, tha ai.

Ai tha se arti i baletit, gjuha e trupit e ka forcën e mjaftueshme për me shfaq në skenë kauza të ndryshme.

“Fuqia e koreografisë, lojës në skenë e transmeton më së miri këtë fenomen, besoj që secili prej nesh qoftë të afërm, qoftë familje, qoftë më të largët dikush e ka përjetuar. Secili që e sheh shfaqjen do ta gjejë historinë e vet. Është shumë me rëndësi që këto lloje solidaritetesh me këta njerëz t’i kemi më të shpeshta. Jam shumë i lumtur që kemi arritur ta realizojmë këtë shfaqje për këtë kauzë dhe ta përçojmë një mesazh tek të gjithë ata që kalojnë nëpër vështirësi të ndryshme se nuk janë vetëm”, tha Kajtazi.

HOPE është një udhëtim emocional që trajton sfidën më të madhe të jetës – përballjen me një sëmundje të rëndë dhe luftën për të ruajtur shpresën. Duke eksploruar kufijtë e forcës njerëzore, dashurisë dhe solidaritetit, baleti na fton të ndjekim një histori që fillon në një moment të brishtë dhe të pasigurt, por që përfundon me triumfin e shpirtit njerëzor.


MË SHUME NGA Kulturë