Meholli: Kultura e konsumerizmit ka ndërtuar njeriun konsumator
BKT
Kulturë

Meholli: Kultura e konsumerizmit ka ndërtuar njeriun konsumator

Vera Pelaj / Radio Kosova

Profesori i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, Bujar Meholli, përveç shkrimeve të shumta eseistike është dhe autor i dy librave poetik të botuar “ Dyqanet e Anandas” dhe “Vështrimi i hënës”. Në intervistë për Radio Kosovën, duke folur për letërsinë, artin dhe kulturën e sotme, ndër të tjerat thotë: “Nuk ka mendim, nuk ka kritikë konstruktive. Është pikërisht ajo që e parashikoi Markus me njeriun njëdimensional. Sot, nuk ka njeri i cili krijon larushi mendimesh e idesh, por është vetëm një drejtim, njëtrajtshmëri.”

 

  • Librat që keni botuar deri tani janë: “ Dyqanet e Anandas” dhe “Vështrimi i hënës”.  Cilat janë motivet e këtyre dy përmbledhjeve?

Bujar Meholli: Të dy librat janë me përmbledhje poetike. “Vështrimi i hënës”, është i botuar në vitin 2018, atëherë kur dëgjoja albumet e “Pink Floyd” dhe “Led zeppelin”, ishte interesimi për muzikën Rock, i cili nuk më është shqitur as sot e kësaj ditë, kurse vitin e kaluar u botua dhe libri im i dytë me poezi më titull “Dyqanet e Anandas”. Brenda këtij libri është përmbledhja e disa lirikave të mia, në të cilat ndërthuret një gamë e gjerë tematikash që prekin religjionin, politikën, kulturën, konsumerizmin, njeriun njëdimensional, siç e quan Herbert Markus, të kësaj kohe. Të gjitha këto interesime të mia, për epikën në të cilën jetojmë, epokën bashkëkohore, jam përpjekur që t’i bëj pjesë të lirikës sime, e cila për lexuesit e mi më të rregullt është e njohur, është stili im i njohur i cili është pjesë e asaj avangarde që në shekullin e kaluar ishte sinjifikative në krijimin e letërsisë së re, ose letërsisë moderniste kurse të gjitha këto motive të cilat i trajtoj aty, përpiqem që t’i mbrus me ide filozofike, refleksion, sugjestion...sepse mendoj që poezia e ka këtë mision. Është një libër i Xhuzepe Tuçit, një intelektual, i cili interesohej për hinduizmin, për Lindjen, dhe titulli Ananda, është pikërisht purifikimi i emocioneve që në kulturën, në mitologjinë e lashtë, në vendet indiane, është gjendja sipërore e njeriut, e cila mund të arrihet me meditim, me asketizëm sepse ata janë të njohur për një qasje transcendentale të jetës, e kështu me radhë. Krejt kjo përvojë nga leximet e mia, muzika, piktura, është pleksur te ky libër, por jo vetëm kjo qasje sepse libri mund të karakterizohet si një libër me poezi ekspresioniste, që do të thotë protestë ndaj shoqërisë aktuale me konditat e saj ekzistuese, protestë ndaj pseudo poezisë, ndaj letërsisë së konsumerizmit, kiçit që sot e ngulfat artistin e vërtetë. Në një anë është dyqani si lloj i konsumerizmit dhe në anën tjetër Ananda, si refleksion i brendshëm spiritual”.

  • Keni botuar shumë shkrime eseistike për autorë të ndryshëm. Përmendim Faik Konicën, Migjenin, Seremben, Frederik Reshpjen, e të tjerë. Pse iu keni kthyer këtyre autorëve në këtë kohë?

Bujar Meholli: Mendoj se autorët e cekur janë autorë të cilët e kanë konsoliduar kulturën tonë, ta zëmë prej Faik Konicës, i cili me kulturën e tij, për herë të parë shkruan për kritikën, do të thotë i mëson shqiptarët se çka është kritika konstruktive dhe si duhet të zgjerohet ajo më tutje. Pra, e krijon një platformë ideoartistike edhe me Dr. Gjilpërën dhe me tekstet e tij të patejkalueshme në publicistikën tonë. Gjithashtu dhe Noli e Fredereik Rreshpja më vonë. Interesimet e mia për sa i përket eseistikes kthehen dhe e kanë një ndikim apriori nga autorët tanë më të shquar të publicistikës. Prej Faik Konicës e Nolit, te Branko Merxhani, te Tajar Zavalani, te Nebil Çika, te Vangjel Koça, që janë autorë të një platforme e cila ndryshe njihet si Platforma e Neo-shqiptarizmës. Neoshqiptarizma nënkupton një doktrinë, një ideologji, e cila brenda e ka refleksionin kritik, të pamurit e gjërave nga perspektiva kritike objektive, gjë që unë mendoj se sot, mjerisht nga mungon. Prandaj, qëllimi im kryesor është që t’i bëj të njohur këta autorë aq sa mundem, t’i rikthej dhe të marr më të mirën e tyre për t’ia shfaqur lexuesit.

  • Gjithashtu keni botuar shkrime edhe për problemet kulturore dhe letrare shqiptare. Një artikull e keni titulluar “Snobizmi kulturor”!

Bujar Meholli: Këtu përpiqem të jem unë njëri nga ata kritikët, i cili i merr problemet, atë qasjen kritike dhe i riaktualizon tematikat me të cilat përballemi ne. Mendoj se shoqëria shqiptare sot vuan nga një delitantizëm i jashtëzakonshëm që nënkupton inercioni kulturor që e pengon dijen e vërtetë, e pengon hulumtimin, mendimin kritik sepse njerëzit janë të dhënë, për fat të keq, nga gjërat e shpejta, nga ajo sindroma e scrolling-ut, që do të thotë vetëm t’i t’u shkosh gjërave në mënyrë elektronike në rrjete sociale, por gjithashtu është njëfarë ngecjeje në lexim, ngecje në refleksion. Mendoj se ky snobizmi, për fat të keq, është imanent sot në shoqërinë shqiptare në fusha specifike si në politikë, kulturë dhe religjion. Në përgjithësi, në të gjitha sferat tona të jetës, mund të vërehet që njerëzit, siç e thotë Eri From dhe autorët e tjerë të Shkollës së Frankfurtit, kanë kontribuuar prej revolucionit industrial e hovit të paparë që e mori zhvillimi i madh teknologjik, pra e kanë zvogëluar njeriun si entitet dhe përherë po e digjitalizojnë. Po e bëjnë atë vetëm një entitet që bie pre e kombinatorikave digjitale. Ia reduktojnë kohën, e bëjnë më të padurueshëm për lexim, më të padurueshëm për ta krijuar dhe për ta realizuar veten. Unë këtë problem e trajtoj në shumicën e shkrimeve eseistike, madje dhe në këto artistike që janë poezi sepse mendoj që duhet një revolucion kulturor në kuptimin e një kthimi te vlerat.

  • Si bëhet ky kthim te vlerat?

Bujar Meholli: Kjo duhet të jetë një gjë më të cilën do të duhej të merrej shteti, institucionet. Ta zëmë, të krijojnë fushata të ndryshme për të rinjtë, ta promovojnë leximin, t’i promovojnë librat, të krijojnë televizionet, mas-media që ka degraduar skajshëm, për fat të keq, ta krijojnë një platformë me të cilën i tërheqin të rinjtë te këto probleme, te libri, te refleksioni, te mendimi kritik sepse neve në të ardhmen na duhen të rinj të vendosur, të rinj që do ta çojnë Kosovën përpara. Nëse nuk reflekton shteti dhe institucionet, duke përfshirë dhe shkollën si një institucion shumë kredibil, që e ka rëndësinë e posaçme në jetën e individit, atëherë rrezikojmë t’i përmbysim komplet vlerat që kemi arritur ndër vite. Kështu, shkojmë drejt një degradimi dhe më të madh, i cili në një plan futuristik, është një pikëpyetje e madhe se çka do të ndodhë pas katër ose pesë dekadash me ne, me librin, me leximin, me mënyrën e edukimit, me qasjen në shkollë, me qasjen në karrierë, nuk e di. Nuk dua të jem pesimist, por dua të jem realist. Të mos i maskojmë problemet me të cilat përballemi.

  • A duhet t’i frikësohemi Inteligjencës Artificiale?

Bujar Meholli:  Inteligjenca Artificiale është vetëm një vegël, është vetëm një mjet në korpusin e veglave digjitale. Do të thosha jam i dyanshëm me Inteligjencën Artificiale. Nëse mund t’i krijojmë disa kondita të të përdorurit në mënyrë racionale këtë inteligjencë, siç e përdorim. Google p.sh, siç e përdorim për të kërkuar gjëra të cilat ne i gjejmë me një lehtësi të jashtëzakonshme, do të thosha se jam pro. Mirëpo, marrja e gjërave të gatshme, që mendoj se po i afrohet një re e zezë popullit dhe kulturës tonë nëse nuk reflektojnë, Prandaj thashë që duhet të bëhen fushata vetëdijesuese, të bëhen debate. Në Kosovë mjerisht kemi dështuar të bëjmë debat konstruktiv. Debat janë sharje, fyerje, të cilat prej lagjes, prej kafenesë i dëgjon në studio televizive. Britma, çirrje, por jo platforma konkrete, jo debat konstruktiv dhe jo mendim kritik se çka duhet të bëjmë ne si popull në të ardhmen. Nuk mund ta zhdukim Inteligjencën Artificiale, por mund të vendosim ta përdorim në mënyrë racionale.   

  • Studimet master i keni mbaruar me temën “Vepra filobiblike e Fan. Stilian Nolit”. Gjatë studimeve, a keni gjetur diçka për Nolin që nuk është ditur te publiku?

Bujar Meholli: Do të thosha se e konsideroj veten si nolist në këtë pikë. Mendoj se Noli është figura më kuptimplote e rilindjes sonë të vonë, për idealet tona për një shtet të fortë, një bashkim kombëtar, një Shqipëri e cila bashkë me Kosovën funksionojnë si një, me një politikë demokratike liberale. Prandaj, e kam marrë Nolin në tezën time, por jam munduar që t’i pikasë kërkimet mbi ndikimet që Noli kishte nga bibla sepse ishte prift, por në këtë rast Noli del goxha jo konvencional sepse simbolet biblike i merr dhe ia nënshtron një poetike e cila ka të bëjë me poezinë okazionale të çastit që ai e shkruan. Këtu po flas për revolucionin apo më mirë të them grusht-shtetin e vitit 1924 të qershorit të asaj kohe. Ç’kam zbuluar dhe çka kam trajtuar diçka më novatore nga ato që tashmë veç dihen, është analiza që ia bëj një poezie jo fort të njohur të Nolit me titull “Tallje para kryqit”. Është një titull interesant që brenda e ka edhe ironinë në njërën anë, sepse Noli aty e bën personazh hebreun, pra Krishtin, dhe e krijon njëfarë skene interesante që nga njëra anë mund të shihet si një herezi. Tregohet paksa heretik kur e transformon komplet Krishtin ose hebreun në këtë poezi. Mendoj që këtu jam munduar të jap një dimension më ndryshe të Nolit sepse kjo tallje para kryqit mendoj që është një kritikë e pastër që Noli ia bën sistemit socio-kulturor e politik të asaj kohë çdo herë duke e shfrytëzuar petkun fetar dhe motivet biblike, por jo puro biblike dhe religjioze, por Noli është i njohur për këto kapërcimet që i bën edhe në Shqipëri ku i rikrijon gjërat. Ta zëmë Shekspirin ai e rikrijon, poezitë e Omer Khajmit i rikrijon, e kështu më radhë. Ma merr mendja që “Tallje para kryqit” është diçka interesante me të cilën jam marrë në kuadër të tezës sime për Nolin.

  • Një autor tjetër shqiptar, të cilin e keni krahasuar me Remarkun është Petro Marko. Cila është e përbashkëta e tyre?

Bujar Meholli: Petro Marko, sipas meje, është njëri prej autorëve më të mëdhenj dhe letërsia e tij ndër letërsitë më kuptimplote në korpusin e krejt letërsisë sonë shqiptare, veçanërisht të shek. XX sepse idealet e Petro Markos në letërsi shkojnë konform me humanizmin e shek. XX në kuadër të të cilit shkruan dhe Remarku, Stefan Cvajg dhe një radhë e shkrimtarëve me botëkuptim antifashist dhe me një prirje për liberalizmin dhe humanizmin. Pra, idealet e Petro Markos nisen nga një komunizëm, por nuk është komunizëm despotik – stalinist, por një komunizëm i cili beson në idealet e bashkimit të popujve dhe ai veten e konsideron si një internacionalist. Jo rastësisht dy personazhet e tij, Ana Maria Monti dhe Lekë Gurra te “Qyteti i fundit”, njëri i takon kombit shqiptar, kurse tjetri kombit italian. Gjithashtu dhe “Hasta la Vista”, që është përvoja e tij nga lufta në Spanjë, sepse Petro shkoi atje si një interbrigadistë në brigadën “Garibaldi”, madje dhe u plagos atje. Pra, e merr këtë përvojë, e bën pjesë të letërsisë së tij duke i ikur dogmave enveriste dhe socrealiste, të cilat e ndrydhnin letërsinë dhe e bënin të njëtrajtshme. Petro Marko i thyen ato norma dhe për këtë e paguan me burg dhe me heqje të të drejtës së botimit. Sot, nëse në mënyrë objektive i merr dhe i analizon letërsinë e Petro Markos, letërsinë e Remarkut dhe letërsinë e autorëve të tjerë progresistë evropianë, mund të thuash se Petro Marko është biri i këtyre idealeve për çlirim, për një utopi të bukur, bashkimin e popujve, internacionalizmin, shkrirjen e këtyre hendeqeve ndërmjet popujve, etj. Mendoj që Petro Marko dhe letërsia e tij e kanë një forcë të paqtë sa nganjëherë më krijohen në kokë pasazhe nga filmat e Charli Chaplinit, p.sh lufta, rezistenca ndaj realitetit ekzistues, çdo herë optimizmi për një jetë më të mirë, për një demokraci efektive. Prandaj, mendoj që Petro Marko duhet të lexohet dhe të njihet letërsia e tij, sidomos romanet kryesore “Hasta la Vista”, “Qyteti i fundit”, “Nata e Ustikës”, që është roman i jashtëzakonshëm dhe do të duhej që kinematografitë tona, regjisorët tanë, të mendonin që t’i ekranizonin këto romane. Mendoj që do të dilte diçka fantastike.    

  • Si e vlerësoni letërsinë që krijohet sot dhe gjuhën që po përdoret në ditët e sotme?

Bujar Meholli: Ngecjen të cilën e përmenda pak më herët të popullit dhe kulturës sonë, mund ta vëreni edhe në të bërit sot art. Diletantizmi është shumë i pranishëm në letërsinë tonë dhe në përgjithësi në artin dhe kulturën që bëhet sot. Problemi qëndron në kulturën e konsumerzimit sepse është ndërtuar njeriu konsumator, i cili përton të futet dhe të analizojë diçka më të thellë, të krijojë asociacionet në kokën e tij, preferon të marrë diçka të gatshme. Zakonisht letërsia që bëhet në rrjetet sociale është në masë të madhe vulgare. Ka tema të cilat janë pezhorative, triviale që nuk ngjallin kurrfarë interesimi, e kjo shkon edhe konform edhe një gjuhe e cila përdoret në publik, në rrjetet sociale, që nganjëherë mua më frikëson sepse derivon njëfarë asfiksimi kulturor . Kur e sheh që X kundër një Y përdor një arsenal fjalësh vulgare, të ashpra, të egra, nganjëherë kërcënuese, shantazuese...kam shkruar dhe për këto probleme, prandaj mendoj që një kontroll racional i institucioneve, do të ishte i nevojshëm. Absolutisht jo censurë dhe ndalim të mendimit apo privimi nga mendimi dhe shprehja, por të jetë një kontroll racional që njerëzit t’i kthehen vlerave të cilat na kanë degraduar skajshëm dhe të tentojnë që përmes mendimit kritik ta krijojnë sërish një atmosferë të favorshme shkrimi dhe leximi. E përmendëm që sot botohet një duzinë librash e leximi është minimal, pothuajse nuk ekziston fare. Pra, gjithçka bëhet në kuadër të një skematizmi të skajshëm i cili derivon vetëm një paraqitje vizuale në rrjete sociale etj. Nëse njeriu është shfaqur në një rrjet të caktuar social dhe tregon se kam bërë këtë ose këtë, aty përfundon çdo gjë. Nuk ka mendim, nuk ka pastaj kritikë konstruktive, është pikërisht ajo që e parashikoi Markus me njeriun njëdimensional. Sot nuk ka njeri i cili krijon larushi mendimesh e idesh, por është vetëm një drejtim, njëtrajtshmëri. Këtë e shoh dhe në art. Në pikturë ta zëmë paaftësia artistike merret si art abstrakt p.sh dy vija dhe dy ngjyra, por ai nuk është art sepse nuk mund ta shpjegosh atë, nuk ke se si. Pata shkruar për disa vezë që u thyen. Ishte një instilacion i cili m’u duk absurd në llojin e vet dhe pa substancë. Këtu duhet të reflektojmë si njerëz dhe ja pse i kthehem Faik Konicës, Nolit e korifenjve të tjerë që të mësojmë dhe të marrim diçka nga ata, sepse ata janë aktualë përherë në kulturën tonë. Nganjëherë them ata janë të jashtëzakonshëm që mundën ta njohin aq mirë dhe aq thellë mentalitetin tonë. Edhe pas 100 vjetësh janë sërish aktualë.

  • A ka shpresë që do t’i kthehemi vlerave në një kohë të afërt?

Bujar Meholli: Shpresa ka, njerëz kemi. Nuk dua të tingëllojë nihilist. Unë kam grupe të rinjsh me të cilët punoj e të cilët kanë aftësi të jashtëzakonshme. Mirëpo, duhet të jetë dikush që shërben si kurator, mbikëqyrës, i cili i merr këto vlera që i posedojnë të rinjtë dhe t’i zhvillojë tutje. Institucioni ku unë jep mësim e ka si objektiv kryesor ta ndërtojë të njeriun, të riun, mendimtarin e së ardhmes që do ta përmirësojë komunitetin në cilëndo fushë. Si e bën këtë? Përmes punës së pandalshme, përmes refleksionit, përmes komunikimit efektiv, përmes punës konstante, dështimeve, mandej përmirësimeve sepse po nuk dështove njëherë, nuk ke se si të përmirësohesh. Kjo do të duhej të vlente për të gjitha shkollat dhe për të gjitha grupimet e të rinjve që potencialin e madh që rinia jonë e ka ta orientojmë në një drejtim të duhur i cili do të na shërbente në të ardhmen.

  • Keni disa libra të pabotuar, por në proces. Për çfarë librash bëhet fjalë?

Bujar Meholli: Janë shkrimet e mia eseistike të cilat tashmë janë bërë goxha dhe ato do t’i përmbledh në një libër, duke tentuar që sado pak të krijoj një urëlidhëse ndërmjet lexuesit dhe idealeve të mia si mësimdhënës dhe si kritik shoqëror në mënyrë që të kontribuoj në shoqëri dhe aq sa mundem në krijimin e një refleksioni social e kulturor. Do të jenë ese që përmbajnë tematika të ndryshme, një fushë e gjerë nga hulumtimet e mia, që nga animacioni, politika, problemet kulturore dhe modelet kulturore, universaliteti, mendimi njëdimensional, politika, religjioni, iluminizmi, të cilin e shoh shumë të rëndësishëm dhe do të doja shumë që iluminizmi të jetë prapë maksima e zhvillimit tonë si shoqëri. Pastaj referenca të shumta nga piktura, muzika, letërsia nga autorët të cilët unë i çmoj dhe nga autorët prej të cilëve e nxjerri më të mirën dhe e transmetoj të lexuesit.

  • Diçka për fund të bisedës së sotme?

Bujar Meholli: Lexoni, dëgjoni muzikë të bukur, ushqehuni me art, ushqehuni me dije, se kështu do ta realizoni veten tuaj dhe do të bëheni të dobishëm për shoqërinë!


MË SHUME NGA Kulturë