DnV: Deri në orën 17:00 dalja në zgjedhje 38,9%
Arlinda Sejda / RTK
Rrjeti i organizatave Demokracia në Veprim që monitoron procesin zgjedhor ka dal me shifra të reja sa i përket daljes së qytetarëve në zgjedhje.
Sipas DnV-së deri në orën 17:00 të drejtën për të votuar e kanë shfrytëzuar 38,9 përqind e qytetarëve me të drejtë vote. DnV ka bërë të ditur se procesin zgjedhor është duke e vëzhguar me 500 vëzhgues në tërë territorin e vendit. Eugen Cakolli në konferencën për media tha se procesi ka vazhduar i qetë. Sipas tij regjionet me dalje më te madhe, mbi mesataren në nivel vendi (ose mbi 40%) janë ai i Prishtinës, komunave me shumicë serbe dhe ai i Ferizajt. Regjionet me dalje sa mesatarja në nivel vendi janë Gjilani dhe Mitrovica e Jugut ndërsa me dalje më të ulët sesa mesatarja në nivel vendi janë regjioni i Pejës, Prizrenit dhe Gjakovës.
Vëzhguesit e DnV-së kanë raportuar se deri në orën 17:00, vështirësi për ta gjetur emrin në listën e votuesve, rrjedhimisht për ta identifikuar vendvotimin adekuat ka pasur në 53% të vendvotimeve, deri në 10 raste. Madje, në 18% të vendvotimeve është raportuar që ka pasur deri në 50 raste kur votuesit kanë pasur vështirësi për të gjetur vendvotimin e duhur.
Deri në orën 17:00, nga numri i deritanishëm i qytetarëve që kanë votuar, 6% prej tyre kanë votuar me asistencë, e më shumë se dy të tretat prej tyre janë gra.























