Radoniqi: Të dhënat e KQZ-së do t’i prezantojmë manualisht
BKT
Lajme

Radoniqi: Të dhënat e KQZ-së do t’i prezantojmë manualisht

M. Pasoma | RTKlive

(Plotësuar, 23:10) Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi ka njoftuar se faqja zyrtare e këtij institucioni nuk është duke funksionuar dhe si pasojë nuk do të mund të publikohen të dhënat preliminare nga zgjedhjet nacionale përmes platformës online.

Radoniqi, ka thënë se të dhënat do të publikohen në formë manuale.

“Për arsye se aplikacioni për përpunimin dhe prezantimin e të dhënave nuk ka funksionuar, ne nuk po arrijmë t’i transmetojmë këto të dhëna përmes platformës elektronike. Andaj KQZ kërkon ndjesë të gjithë qytetarëve që kanë pritur me shumë të drejtë rezultat preliminare të votimeve nga dita e sotme”, ka thënë ai.

Ai ka siguruar që mos sigurimi i të dhënave në mënyrë elektronike nuk do të ketë ndikim në rezultatet.

“Në këto rrethana, KQZ ka shqyrtuar situatën dhe ka vendosur që të ë mbledh të dhënat në mënyrë manuale nga të gjitha vendvotimet përmes formularëve të rezultateve për subjektet politike, të cilat janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të fletëvotimeve”, ka thënë ai.

Radoniqi ka thënë se stafi i KQZ-së do të qëndrojë gjatë gjithë natës në objektin e institucionit duke numëruar votat nga fletëvotimet në mënyrë manuale. Ai ka thënë se sonte s’do të ketë konferencë për media, për shkak se procesi do të zgjatet pas ndërrimit të mënyrës së publikimit, por nuk ka dhënë afat kohor se kur do të paraqiten ato.

“U kërkojmë ndjesë të gjithë qytetarëve. Në këto rrethana kemi shqyrtuar situatën dhe do t’i mbledhim të dhënat në mënyrë manuale. Sigurojmë qytetarët që mostransmetimi i të dhënave preliminare përmes platformës elektronike nuk ka ndikim në rezultat. Pasi t’i grumbullojmë do t’i publikojmë, nuk e di, në ora 1, 3 apo 4 të mëngjesit. Do t’ju informojmë me kohë. Për këtë dështim të sistemit, do të kemi një analizë më vonë”, ka thënë ai.

KQZ numëron mbi 50% të votave

(E përditësuar 22:40) Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas përditësimit të orës 21:30 në ueb-faqen zyrtare tregon se janë numëruar mbi 50% të votave. 

Nga  2,533 vendvotime, votat kanë arritur të numërohen në 1,289 sosh.

Nga ky numërim i deritanishëm, Lëvizja Vetëvendosje prin me 37,50%. Pasohet nga PDK me 29.80%, LDK 16.29% dhe koalicioni për Kosovën Fituese me 7.92%.

Lista Serbe deri më tani ka arritur të marrë 2.28% të votave dhe Koalicioni për Familjen 2%.

KQZ më herë ka konfirmuar se kanë probleme me serverin, si pasojë e mbingarkesës. Si pasojë, informimi i publikut është më i ngadalshëm.

(Plotësuar, 21:50) KQZ: Kemi probleme me serverin, po i procesojmë rezultatet

Faqja zyrtare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka rënë nga funksioni. Nga KQZ kanë konfirmuar se kanë probleme me serverin, si pasojë e mbingarkesës.

Nga KQZ kanë thënë se janë duke i mbledhur të dhënat pas numërimit të fletëvotimeve nga vendvotimet. Ata kanë thënë se problemet teknike në platformë janë evidente dhe se të dhënat që janë duke u mbledhur nga terreni, e të cilat më pas do të publikohen nga KQZ.

23.65% e votave të numëruara, kryeson LVV

(Plotësuar, 21:05) Në faqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve tashmë janë proceduar 23.65% e votave.

Sipas këtyre të dhënave Vetëvendosje kryeson me 55.77%, PDK 25.39%, LDK 8.99%, AAK-Nisma me partnerët 5.00% dhe Koalicioni për Familje 1.09%. Megjithatë, nuk dihet nëse këto të dhëna janë të sakta, pasi faqja e KQZ-së ka probleme.



KQZ fillon procesimin e votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar procesimin e votave në zgjedhjet e sotme për Kuvendin e Kosovës. Deri tash janë procesuar vetëm 5.29 përqind të votave

Sipas të dhënave në faqen zyrtare të KQZ-së rezultatet e para nga 5.29% e votave të numëruara janë si vijon: Vetëvendosje 37.18%, PDK 25.10%, LDK 17.28%, AAK-Nisma me partnerët 8.86%, Lista Serbe 4.98% dhe Koalicioni për Familje 1.46%.

 


MË SHUME NGA Lajme