PDK: Jemi forca e dytë më e madhe politike, rezultati më i mirë ndër vite
BKT
Lajme

PDK: Jemi forca e dytë më e madhe politike, rezultati më i mirë ndër vite

M.P. / RTKlive

Zëdhënësi i fushatës së Partisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci në një konferencë për media ka thënë se ky subjekt politik ka arritur të marrë mbi 200 mijë vota dhe se ky, sipas tij, është rezultati më i mirë ndër vite për këtë subjekt politik.

“Jemi në një situatë të pazakontë ku ne si parti politike sonte duhet t’ju tregojmë juve dhe qytetarëve për votën tonë, dhe jo KQZ siç do të duhej të ishte. Megjithatë, jemi para jush për të ndarë një mesazh të qartë dhe të plotë, PDK ka arirtur një rezultat të madh. PDK është konfirmuar si forca e dytë më e madhe politike në vend me mbi 200 mijë vota”, ka deklaruar zëdhënësi Blerand Stavileci.

Ai ka thënë se kreu i PDK-së, Memli Krasniqi dhe kandidati për kryeministër Bedri Hamza, ditëve në vazhdim do të dalin me informacione për hapat e mëtutjeshëm të këtij subjekti.

“Ky është rezultati më i mirë i PDK-së ndër vite dhe dëshmi e besimit të qytetarëve në vizionin tonë. Falënderojmë nga zemra secilin qytetar që besoi dhe votoi për PDK dhe për kandidatin tonë për kryeministër, Bedri Hamza. Është sukses i pamohueshëm për ne dhe mesazh i fortë për të ardhmen e vendit tonë”, ka thënë Stavileci.

Sipas tij PDK është rikthyer fuqishëm si forcë politike sikurse viteve më parë.

"Presim rezultatin final dhe numërimin e votave, por një gjë jemi të sigurtë se Kosova duhet dhe mundet më mirë”, ka thënë ai.


MË SHUME NGA Lajme