Kryeziu konfirmon ndalimin e dy personave për sulm dhe kanosje
E. Hoti/ RTKlive& E. Tabak /RTK
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka dhe nipi i tij janë ndaluar nga policia mbrëmë. Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, tha për RTK se më 9 shkurt ka pasur një rast ku rreth orës 18:30 minuta janë paraqitur dy ankues në cilësinë e viktimave.
Kryeprokurori Kryeziu tha se së bashku me hetuesit policorë janë ndërmarrë veprime në vendin e ngjarjes ku kanë siguruar prova materiale dhe kanë ardhur në përfundim se në këtë rast janë tre persona të dyshuar.
“Një burrë dhe një grua kanë pretenduar se janë viktima të një sulmi dhe të një kanosje për jetë. Si përfundim kemi vendosur që dy prej tyre të ndalohen me vendim të Prokurorit të Shtetit për 48 orë për shkak të dy veprave penale “Sulm" dhe "Kanosje për jetë”.Viktimat që janë ankuar kanë deklaruar që janë të rrezikuar ata dhe familjet e tyre”, ka thënë kryeprokurori Kryeziu.
Ai shtoi se në bazë të provave materiale të cilat janë siguruar në vendin e ngjarjes rezulton se gjatë këtij rasti kanë qenë prezentë disa persona.
“Kjo ka ndodhur në prezencën e së paku 20 personave, kështu që na është dashur të marrim veprime të shumta dhe kemi ardhur në përfundim që për dy persona që është pretenduar se janë të dyshuar ka prova dhe për ata kemi lëshuar vendim për ndalim për 48 orë”, ka thënë kryeprokurori Kryeziu.
Kryeziu tha se dy viktimat janë anëtar të një partie turke, por rasti nuk ka të bëjë me zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se nuk është cenuar integriteti i votës dhe votimit të zgjedhjeve parlamentare.
”Mund të ketë motive politike partiake, por ajo që është e sigurt është fakti që i dyshuari i parë është personi që ju interesoheni ka edhe një rast të mëhershëm me të dëmtuarin e dytë në vitin e kaluar. Mirëpo, ajo që ka ndodhur dje është fakti që janë dy parti rivale, të dyja janë të komunitetit turk dhe nuk ka të bëjë me ndonjë veprim që e cenon integritetin e votimit.Në rastin konkret kemi të bëjmë me sulm dhe kanosje ndaj një burri dhe një gruaje të cilët kanë kërkuare ndihmën e shtetit ”, ka thënë ai.
Është arrestuar kryetari i KDTP-së, Fikrim Damka

Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka dhe nipi i tij janë ndaluar nga policia mbrëmë.
Kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka, është ndaluar nga policia me arsyetimin se mbrëmjen e djeshme ka sulmuar fizikisht kandidaten për deputete të Partisë Lëvizja Inovative Turke (YHTP), Arda Maloku.
Lajmin e ka konfirmuar kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, i cili për RTK-në sqaroi se rasti nuk ka të bëjë me vepra të cilat lidhen me zgjedhjet parlamentare.























