PDK: Mbesim të përkushtuar për të ndërtuar një Kosovë më të fortë
G.K/RTKlive
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit. Në këtë takim, u vlerësua pozitivisht fushata zgjedhore dhe u diskutua për hapat e ardhshëm politikë të partisë.
Në njoftim theksohet se kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, shprehu mirënjohje për angazhimin e jashtëzakonshëm të Kryesisë, kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, dhe të gjithë mbështetësve të partisë.
"Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë më të mirë," tha Krasniqi.
Tutje theksohet se kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, falënderoi kryetarin Krasniqi dhe Kryesinë për mbështetje dhe punë të palodhshme gjatë fushatës. Ai theksoi se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore.
"Anëtarët e Kryesisë së PDK-së shprehën mbështetje të plotë për hapat e mëtejshëm politikë të partisë, duke konfirmuar angazhimin për të ndërtuar një Kosovë më të fortë dhe më të drejtë për të gjithë qytetarët", thuhet në njoftim.
























