Krasniqi: Libri i parë në Kosovë i botuar nga një grua, në vitin 1972
BKT
Kulturë

Krasniqi: Libri i parë në Kosovë i botuar nga një grua, në vitin 1972

K. K. / RTKlive

Libri monografik “Shkrimtaret shqiptare 1954-1990”, ka të përfshira autoret, shkrimtaret që kanë botuar në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni të Veriut, te abreshët e Italisë, në gjithë hapësirën shqiptare. Meliza Krasniqi, autore, theksoi se “unë kam marrë në monografi gjithçka që është botuar pas Musinë Kokalarit, kohës kur ajo ka lënë shkrimin”.

“Në vitin 1954 fillon të shkruhet nga gratë, vitet ‘60, fillon konsolidimi më i madh i shkrimit të gruas, në vitet 70 njëfarë shpërthimi, po ashtu në vitet ’80, ‘90 në Shqipëri, ndërsa në Kosovë kjo dukuri fillon pak më vonë, ndonëse është Ifete Agushi që ka shkruar poezi, por jo me alfabet shqip. Libri i parë i botuar në Kosovë është në vitin 1972, nga Edi Shukriu dhe Sadete Emërllahu”, tha ajo.

Krasniqi në “Mirëmëngjesi Kosovë”, në RTK, tha se gruaja në letërsinë shqiptare fillon të shfaqet nëpër revista dhe gazeta në vitet ‘30, në kohën e Musine Kokalarit, mandej shkruan Musine Kokalari, ajo e bën hyrjen e shkrimtares në letërsinë shqipe deri në vitin 1944, kur e boton librin e fundit.  

Ajo pohoi se ideja për librin ka lindur menjëherë pasi e ka botuar veprën për Musine Kokolarin, që njëherësh ka qenë monografia e parë për të dhe mandej ka shikuar se cilat kanë qenë ato gra që kanë shkruar, pas saj, në një shikim sipërfaqësor dhe ka vërejtur se ato kanë qëndruar në margjina  gjithmonë, kanë botuar, mirëpo puna e tyre nuk është vlerësuar në kuptimin, sepse ato nuk janë përfshirë në asnjë histori letrare, as në kurikula shkollore dhe nuk janë përmendur, përveçse kur ka dalë libri i tyre dhe shkruar një recension i shkurtër dhe mandej janë lënë si në heshtje.
“Kjo nuk ka ndodhur veç në letërsinë shqipe.

Ky fenomen është global, sepse duke qenë ato personazhe në letërsi, në njëfarë forme është kompensuar prania e saj në letërsi, si objekt që ka qenë i personazhit dhe nuk është ndier mungesa e tyre e madhe si subjekt krijues”, shtoi ajo.

Ndër të tjera, ajo tha se përpjekja e saj ka qenë që ato t’i mbledhë në një vend dhe t’u jap një zë, një vend meritor të cilin atyre u takon, si në historinë e letërsisë shqipe, si në kurirkula nëse nesër pasnesër ato ndryshojnë.

“Historikisht gratë janë paraqitur në formë të personazheve të ndryshme, si nënë, si motër, si bashkëshorte dhe gjithmonë e kanë pasur njëfarë funksioni mbështetës qoftë si mëkatare si shenjtorë. Vetë letërsia shqipe fillon duke madhëruar figurën e gruas si në formë të Shën Mërisë”, tha Krasniqi.


MË SHUME NGA Kulturë