Sot tryezë shkencore për Ditën Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare
K. K. / RTKlive
Sot do të mbahet tryezë shkencore në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, “Përdorimi i shqipes në domenin publik”. Sejdi Gashi, studiues i gjuhës shqipe, theksoi se gjithsej 11 kumtues do të marrin pjesë në tryezë me tema të ndryshme, por kryefjalë kanë përdorimin e shqipes në domenin publik. “Jemi munduar të kemi së paku nga një-dy studiues të hapësirave shqiptare”, tregoi ai.
“Ne kemi bërë një bashkorganizim, Instituti Albanologjik në bashkëpunim me Fakultetin e Shkencave Humane të Universitetit ‘Nënë Tereza’ në Shkup, me ç’rast në ditën e sotme do ta bëjmë një marrëveshje bashkëpunimi me këtë universitet. Krahas studiuesve nga Universiteti ‘Nënë Tereza’ kemi të ftuar ekspertë të fushës, profesorë nga katedra e gjuhës dhe letërsisë shqiptare nga Universiteti Shtetëror në Shkup, po ashtu kemi përfaqësues nga qendrat albanologjike në Shqipëri, konkretisht nga Universiteti i Durrësit dhe qendrat e tjera”, theksoi ai në “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Sipas tij, kjo temë nuk është e trajtuar për herë të parë. “Ka vite e vite që trajtohet, njëkohësisht ka vite e vite që problemet vazhdojnë të jenë aktuale”, tregoi Gashi.
Ndër të tjera, ai tha se problemet janë kudo të pranishme, diku më shumë e diku më pak. “Po shohim që gjuha jonë si në formën e saj të shkruar ashtu edhe në formën në të folur po çalon, po ka shkarje, shmangie nga norma e standardit”, tha ai.























