KQZ: Numërimi përfundon në 35 komuna, mbeten për t`u numëruar 3 komuna
BKT
Lajme

KQZ: Numërimi përfundon në 35 komuna, mbeten për t`u numëruar 3 komuna

V.S|RTKlive

( E përditësuar 20:00) Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, gjatë një lidhjeje të drejtpërdrejtë në RTK ka njoftuar se deri tani është përmbyllur numërimi i votave në 35 komuna të Kosovës. Ai theksoi se kanë mbetur për t`u numëruar votat në tri komuna, Prishtina, Peja dhe Leposaviqi, të cilat pritet të përfundojnë nesër.

"Në përgjithësi, nga data 11 shkurt deri më sot (20 shkurt) në orën 16:00, janë numëruar 94.31% apo 2,389 nga 2,533 vendvotime. Pra, kanë mbetur edhe 144 vendvotime që i takojnë këtyre komunave tri komunave", tha Elezi.

Elezi ka theksuar se gjatë procesit të numërimit, i zhvilluar në 38 Qendra Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave për kandidatët për deputetë, është realizuar edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.

"Ky është një proces sigurie që çdo votë të jetë e evidentuar me saktësi", tha ai.
Elezi ka bërë të ditur se pas përmbylljes së numërimit në më shumë se 2,290 KQZ ka publikuar platformën elektronike ku janë shfaqur të dhënat për votat e kandidatëve për deputetë dhe të dhënat për rezultatin e subjekteve politike.

"Gjithashtu, gjatë ditës me qëllim të rritjes së transparancës, KQZ ka publikuar edhe formularët e rezultateve të subjeteve politike dhe të kandidatëve të cilët janë plotësuar nga ekipet numëruese në Qendrat Komunale të Numërimit", tha ai.

(16:29) KQZ: Publikimi nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare

Publikimi i formularëve të rezultateve për subjektet politike e kandidatët, të dala nga procesi zgjedhor i 9 shkurtit, nuk është rezultat përfundimtarë, thotë KQZ-ja. Institucioni që organizon zgjedhjet thotë se kjo u bë me qëllim të rritjes së transparencës për procesin zgjedhor.

“Këta formularë janë plotësuar në Qendra Komunale të Numërimit gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë dhe verifikimit të rezultateve të subjekteve politike nga formularët e vendvotimeve”, tha për RTKlive, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Ai ka sqaruar se ky publikim nuk është shpallje e rezultateve përfundimtare, por janë forma të rezultateve të plotësuara nga ekipet nëpër Qendra të Numërimit.

“Rezultatet përfundimtare të procesit zgjedhor, shpallen nga KQZ pas përfundimit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga vendvotimet e rregullta, fletëvotimeve nga votimi me kusht, fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta, fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, vendosjes për ankesat eventuale nga PZAP dhe Gjykata Supreme dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në QNR”, sqaroi zëdhënësi, Elezi.


MË SHUME NGA Lajme