Emisioni ‘Gjurmë’, dokumentar për Janet Reineck
K. K. / RTKlive
Emisioni “Gjurmë” i RTK-së ka transmetuar dokumentarin “Rrethimi i heshtur”, për antropologen amerikane Janet Reineck. Folës ishin disa personalitete të ndryshme të cilët e vlerësuan lart figurën e saj duke e cilësuar lobuese e valleve, traditës, zakoneve, adeteve dhe veshjes.
Reineck, ka jetuar me shqiptarët e Kosovës për tetë vjet, midis viteve 1981 dhe 1997. Fillimisht si antropologe, duke bërë hulumtime dhe më vonë si punonjëse e ndihmës humanitare. Ajo në parathënien e librit thotë se “Jetën shqiptare e kuptova ngadalë, përmes të gjitha shqisave të mia”.
Fejsal Shaqiri, drejtor i “SH.K.A”- Bresanë, tha se ajo një pjesë të jetës së vet e ka kaluar në trevën e Opojës dhe kryesisht është marrë me lobimin e valles, traditës dhe zakoneve, adeteve si dhe me veshjen.
“Treva e Opojës përmes saj është njoftuar si shumë studiues tjerë që kanë lobuar për këtë trevë”, shtoi ai.
Kurse Reineck tregoi se në fillim të 81-82 nuk e kanë lënë me shku në ato regjione për shkak të situatës delikate shumë të vështirë ka qenë në Kosovë.
“Nuk më kanë lënë me shku afër kufirit të Shqipërisë, kursesi as me përmend Shqipërinë, ka qenë krejt e ndaluar për mua si e huaj”, theksoi Reineck.
Tutje ajo tha se mandej më në fund në 86-87, kam pasur lirinë , askush nuk më ka shikuar më, janë mësuar me me duke treguar se tani kam pasur mundësi me shku në Opojë me ndejt nëpër shpija, fshatra, edhe me mësu për një popull specifik.
“Duke kërcyer me vajzat e fshatit, duke dëgjuar sekretet e tyre deri në orët e vona të natës, duke fshirë oborrin në agim, duke larë flokët me kovë e tas, duke pjekur speca dhe pjekur fli me fqinjët e mi, duke u ulur këmbëkryq pranë zjarrit me pleqtë e duke mësuar prej urtësisë së tyre”, kjo është jeta e Janet Reineck një amerikane në Kosovë.
Ka njerëz që i tërheq një gjeografi larg vendlindjes ose prejardhjes së tyre. Ekziston një fjalë e bukur për këtë ndjenjë përkatësie në gjuhën uellse: hiraeth, vendi ku shpirti juaj përket.
Për disa vite radhazi, Xhejn ka udhëtuar nëpër Evropën Lindore, duke kërkuar qasje në territorin intim njerëzor. Vallëzimi ishte ‘modus operandi’, bileta e hyrjes në botët e fshehura ekzotike.
Ndërsa dekada po mbyllej, në situata të çuditshme, joshëse, shpesh të pasigurta në fshatrat jugosllave, Kosova mbeti një mister, për pjesën më të madhe të botës së jashtme.
“Kishte diçka krejtësisht josllave te këta njerëz: mollëzat e larta dhe të mprehta, sytë e përhumbur të gjelbër dhe ngjyrë lajthi, kaq të bukur e të një bote tjetër”, shkruan Xhejn në memoaret e saj.
Ndërkaq Muhamet Sinani, artist thotë se “në vitin 84, ne jemi takuar në Drenas edhe unë nuk e kam njoft që është amerikane, kur u takuam unë isha me veshje të vjetra të plakut dhe ajo më tha të bëjmë një foto.
Profesorët thonë se duhej të isha e çmendur që doja të bëja hulumtime në Kosovë, thotë Xhejn.
E kishte anashkaluar Kosovën për vite me radhë, duke u pajtuar me këshillat e mentorëve. Por tërheqja në dëshirën e saj për të njohur këtë vend ishte shumë më e madhe.
Xhejn thotë se shqiptaret ishin të këndshëm për turistët dhe ishte një mundësi për të shijuar sytë e tyre të veçantë e të ngjashëm.
“Kur u takova në festivale, vajzat ishin më të reja se vajzat e grupeve të tjera. Qëndronin afër së bashku dhe rrallë dilnin jashtë. Ishin të sjellshëm dhe miqësor me mua. Kishin një pamje të jashtme, jashtëzakonisht të butë e të veshur me shpirtra të ashpër, fisnor, tërësisht jo-modern. Më tërhiqnin në mënyrë të papërmbajtshme”.
“Kisha një ndjenjë në atë moment se jeta ime nuk do të ishte më e njëjta. Dhe kisha pasur të drejtë”.
"Udhës drejt jugut përmes Serbisë, kodrat e blerta të harlisura përfundimisht ua lënë vendin fushave. Më tej, në peizazh shfaqet diçka që bie menjëherë në sy: mure të larta guri që rrethojnë shtëpitë, duke i mbrojtur ato nga vëzhgimi i kalimtarëve. Këto mure, brenda të cilave fshihet jeta, lajmërojnë hyrjen tuaj në botën shqiptare", përshkruan Xhejn.
"Jetën ia kam kushtuar shërbimit ndaj njerëzimit dhe e gjitha është falë kohës që kam kaluar në Kosovë. Përvojat e mia mes familjeve të fshatit, privimi, guximi dhe qëndrueshmëria që pashë dhe vuajtjet që kaluan miqtë e mi shqiptarë gjatë luftës, më mësuan se si është jeta e një populli që lufton për të qenë i lirë. Jeta ime në Kosovë ka skalitur në unin tim një mënyrë të veçantë për ta parë botën dhe për të jetuar jetën time: me qëllim të papërkulshëm, mirënjohje të pakursyer dhe entuziazëm të madh për jetën", përfundoi Reineck.























