Filmi ‘Pesë stinët e fëmijërisë sime’ në festivalin e Finlandës
Sh.G. / RTKlive
Filmi i animuar "Pesë stinët e fëmijërisë sime", i regjisorit Besim Ugzmajli, është njëri nga dy filmat që do ta përfaqësojnë Kosovën në festivalin e 55-të të filmit në Finlandë, që do të mbahet nga 5 deri më 9 mars.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë për emisionin e mëngjesit në RTK, Ugzmajli shpjegoi se ky projekt ka lindur nga një moment i veçantë i jetës së tij.
"Ka qenë një krijim spontan. E kam filluar kur kam parë për herë të parë lumin Nerodime pa ujë, afër vendbanimit tim në Ferizaj. Aty ku u njoha me këtë pamje, kuptova se gjithçka ka ndryshuar dhe se ky vend është transformuar shumë që nga koha e fëmijërisë sime", shpjegoi regjisori.
Ai tutje ka bërë të ditur se ky film është një dokumentar autobiografik i animuar që tregon për kujtesën kolektive dhe për atë çfarë ka mbetur nga e kaluara në mendjet tona.
Ugzmajli ndër të tjera theksoi se filmi ka shumë shtresa tematike dhe mesazhi kryesor është rëndësia e kujtesës dhe ruajtjes së saj për shoqërinë, si dhe për narrativën e përgjithshme shoqërore.
“Ky projekt ka kërkuar një angazhim të madh, veçanërisht në pjesën e animacionit, që i ka dhënë filmit një dimension unik dhe të thellë”, tha Ugzmajli.























