Filharmonia e Kosovës mbylli shkurtin me një koncert të pasur muzikor
BKT
Kulturë

Filharmonia e Kosovës mbylli shkurtin me një koncert të pasur muzikor

Sh.G. / RTKlive

Filharmonia e Kosovës mbylli muajin shkurt me një koncert emocionues, i cili bashkoi traditën dhe bashkëkohoren në një përvojë muzikore të paharrueshme. Koncerti, nën drejtimin e Antoine Marguier, u hap me "Simfoninë nr. 1" të kompozitorit Rexho Mulliqi, e cila solli një tingull të freskët dhe origjinal.

Saksofonisti i njohur Vitaly Vatulya interpretoi "AlBalcanica" për saksofon, harqe dhe perkusion, një veprë e kompozitorit të mirënjohur Valton Beqiri, duke shtuar një dimension të veçantë dhe të fuqishëm në program. Pjesa operistike u përfaqësua nga sopranoja Besa Llugiqi, e cila solli madhështinë e muzikës italiane me interpretimin e dy arieve: "Un bel dì vedremo" nga Madama Butterfly e Puccinit dhe "È strano… Sempre libera" nga La Traviata e Verdit.

Pjesa e dytë e koncertit përfshiu "Simfoninë nr. 2" të Kreshnik Aliçkajt dhe The Three-Cornered Hat, Suita nr. 2 nga Manuel de Falla, duke ofruar një përvojë të larmishme dhe emocionuese për publikun.

Filharmonia e Kosovës do të performojë më 12 mars 2025 në Casino Bern në Zvicër, duke filluar nga ora 19:30, ndërsa në Prishtinë, koncerti i radhës do të mbahet më 4 mars, me dy shfaqje të dedikuara për fëmijë në oraret 13:30 dhe 14:30.


MË SHUME NGA Kulturë