Kurti: Alban Bujari do të jetojë përmes veprave të tij
BKT
Lajme

Kurti: Alban Bujari do të jetojë përmes veprave të tij

V.Thaçi / RTKLive

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, i ka shprehur ngushëllime familjes, kolegëve dhe gjithë komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve të Kosovës, si dhe të gjithëve që e njohën Alban Bujarin.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se mëngjesi i sotëm ishte i trishtë pas lajmit për vdekjen e papritur të Alban Bujarit, fotoreporterit i cili me syrin e tij regjistroi luftën, paqen dhe shtetndërtimin e Kosovës.

“Në gati 30 vitet që me fotografi dokumentoi historinë e Kosovës, Albani, me modestinë njerëzore dhe punën profesionale, e vendosi veten në majen e gazetarisë së Kosovës, dhe jo vetëm. Albanin do ta mbajmë mend përherë e do ta kujtojmë për rolin e tij si fotoreporter veçanërisht në dokumentimin e masakrave të luftës së fundit në Kosovë, ku pamjet shërbejnë si dëshmi që ndërgjegjësuan më tej edhe opinionin e mediat ndërkombëtare. Me kurajën e njëjtë e kureshtjen e pashtershme përcolli zhvillimet shoqërore e politike edhe pas luftës. Syri i tij na ka përcjellë për afër tri dekada, e unë fytyrën e tij e kam parë në pothuajse çdo aksion politik si opozitar e aktivitet publik tash si kryeministër. Jemi takuar shpesh, por jo aq sa duhej për kohën e gjatë që njiheshim. Do të na mungojë gjithmonë; mungesa e tij do të vërehet përherë”, ka shkruar Kurti. 

Ai ka thënë se ai do të jetojë përmes veprave të tij, e nga to do ta mbajë të gjallë edhe kujtimin për viktimat e luftës së fundit, masakrat e shtypjen sistematike të viteve të '90-ta.

Kurti tutje ka thënë se fotografitë e Albanit janë e do të jenë gjithmonë kujtesa jonë për dhimbjet e popullit tonë dhe përkujtimi i çmimit për lirinë që e gëzojmë sot. Me punën e tij, ai la trashëgimi vetëdije historike e kombëtare.

“Ngushëllime familjes, kolegëve në Grupin Koha dhe gjithë komunitetit të gazetarëve e fotoreporterëve të Kosovës, si dhe të gjithëve që e njohën Albanin, qoftë personalisht qoftë përmes fotografive të tij. Albani fotografoi që kurrë mos të harrojmë, e prej sot fotografitë e tij do të kujdesen që ne kurrë mos ta harrojmë Albanin”.


MË SHUME NGA Lajme