Gjykata vendos arrest shtëpiak për Nikçin e Shalakun
RTK
(E pkotësuar, ora 13:40) Gjykata Themelore në Prishtinë e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit për kryeinspektorin e Punës, Hekuran Nikçi dhe ushtruesit të detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku.
Kjo gjykatë ka vendosur që atyre t’i caktohet masa e arrestit shtëpiak.
Pas seancës, avokati i Nikçit, Arianit Koci ka deklaruar se klienti i tij po përballet me proces të padrejtë. Sipas tij, Nikçi nuk ka të bëjë me rastin për të cilin po hetohet.
Koci ka theksuar se ndaj masës së arrestit shtëpiak do të ankohet.
Dërgohen në gjykatë Nikçi dhe Shalaku
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës, Hekuran Nikçi, dhe ushtruesi i detyrës së menaxherit në Njësinë për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Naim Shalaku, u dërguan sot në Gjykatën Themelore.
Të dy ishin ndaluar të enjten me urdhër të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë për 48 orë, nën dyshimin për keqpërdorim të pozitës.
Ata dyshohen për kryerje të veprave penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Që të dy këta janë intervistuar gjatë të enjtes nga Sektori për Hetime Financiare i Policisë.
Prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj dy të dysharve.























