`Task-Forca Komunitare`, projekt për ndërgjegjësimin kundër dhunës gjinore
Sh.G / RTKlive
Në një intervistë për RTK-në, Puhiza Bekolli, koordinatore e projektit dhe Valjeta Sadrija Berisha, anëtare dhanë detaje për iniciativën "Task-Forca Komunitare”, projekt i cili ka filluar të zbatohet nga nëntori i vitit të kaluar dhe si qëllim ka ndërgjegjësimin dhe edukimin kundër dhunës në baza gjinore.
“Projekti ka filluar të implementohet që nga muaji nëntor dhe ka marrë mbështetje nga UN Women dhe ambasada Britanike në Prishtinë. Ato kanë kontribuar ndjeshëm në fushatat e ndërgjegjësimit në katër komuna: Prishtinë, Gjakovë, Gjilan dhe Dragash”, tha Bekolli.
Derisa Valjeta Sadrija Berisha, anëtare e Task-Forcës, shpjegoi se "dhuna si fenomen është shumë e përhapur në shoqërinë tonë dhe ne si individ në komunitet mund të jemi faktor të ndryshimit".
Ajo tha se ajo u bë pjesë e kësaj ‘Task-Force’ në Prishtinë mënyrë krejt vullnetare.
Sipas saj roli i ‘Task-Forcës’ është luftimi i dhunës në baza gjinore, luftimi i dhunës ndaj gruas dhe luftimi i dhunës në familje.
“Qëllimi është eliminimi i dhunës, identifikimi i dhunës, si dhe ngritja e vetëdijes. Gjithashtu deklaratat dhe veprimet që përmbajnë dhunë si dhe dhënia e ndihmës për ata ose ato që janë preh e dhunës", tha Valjeta Sadrija Berisha.























