Kurti: Arkivat janë gardiane të trashëgimisë dokumentare
K. K. /RTKlive
Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (AShAK) ka nisur sot, në 74-vjetorin themelimit, edicionin e ri “Java e Arkivit të Hapur”, i cili do të zgjasë deri më 21 mars. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, theksoi se “arkivat janë gardiane të trashëgimisë dokumentare”.
“Kjo lloj trashëgimie është një lloj testament i kulturës dhe kujtesës sonë historike që duhet t’u transmetohet brezave të ardhshëm në gjendjen më të mirë të mundshme”, tha kryeministri Kurti.
Po ashtu, ai tha se “kemi miratuar ligjin e ri për arkivat, pastaj janë miratuar tetë akte nënligore të cilat e bëjnë të zbatueshëm këtë ligj tejet të rëndësishëm”.
“Kosova është bërë me strategji afatgjatë shtetërore për zhvillimin e arkivave, duke definuar qartë sistemin arkivor 2025-2031. Kemi përmirësim të dukshëm të kushteve të punës së stafit dhe materialeve arkivore”, shtoi Kurti.
Kurse u. d. drejtori ekzekutiv i AShAK-ut, Bislim Bislimi, paraqiti punën që ka bërë në fushën e digjitalizimit në dy vitet e fundit.
Ai tha se në kuadër të projektit të digjitalizimit masiv gjatë vitit 2024, janë digjitalizuar 2.5 milionë dokumente arkivore.
"Ky numër do të dyfishohet, shumë shpejt do të arrihet shifra prej 5 milionë dokumenteve të digjitalizuara", pohoi ai.
Gjatë kësaj ngjarje u lansua Sistemi Elektronik për Menaxhimin e Materialit Arkivor, i cili do të krijojë qasje të lehtë në materialin e digjitalizuar arkivor nga jashtë, si dhe do të lehtësojë sistemimin e brendshëm të këtij materiali.
Përgjatë javës së “Arkivit të Hapur” do të zhvillohen përplot aktivitete, kryesisht me nxënësit e shkollave të kryeqytetit.























