Qytetarët i bëjnë homazhe Haxhi Thaçit në Skenderaj
M.P / RTKlive
(E plotësuar) Qytetarë të shumtë po vazhdojnë t’i bëjnë nderime Haxhi Thaçit, babait të ish – presidentit Hashim Thaçi, në palestrën “Ilaz Kodra” në Skenderaj si dhe të ngushëllojnë familjen Thaçi.
Sot i jepet lamtumira e fundit Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Komuna e Skenderajt ka organizuar disa aktivitete për të nderuar figurën e tij.
Sipas agjendës, nën patronazhin e kryetarit të Skenderajt, Fadil Nura, nga ora 9:00, qytetarët kanë filluar të bëjnë homazhe. Ato do të vazhdojnë deri në orën 12:00.
Pasi homazheve pranë arkivolit të Haxhi Thaçit, babait të ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetari i Nisma Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka theksuar se Kosova ende vazhdon ta paguajë çmimin e lirisë.
“Sot së bashku me bashkëpunëtorë jemi këtu për t’i dhënë lamtumirën e fundit një prindi, një atdhetari dhe një burri të madh, i cili është simbol i gjithë baballarëve tanë. Me edukimin dhe sakrificën e tij, rriti djem në shërbim të vendit. Kam pasur fatin që shumë herë gjatë luftës dhe pasluftës, në situata të vështira e të gëzimit të kemi një lidhje emocionale, sepse gjithë djemtë e UÇK-së, prindërit e tyre kanë qenë prindërit e njëri-tjetrit. Në momentin kur po e përcjellim, po tregon edhe një herë se çmimi i lirisë së Kosovës edhe sot po paguhet. Sot nuk është këtu ai që ka shërbyer, ka dhënë kontributin meritor për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe në momentet më të vështira të jetës së tij. Sot mungon presidenti Thaçi dhe kjo tregon se sa e shtrenjtë dhe me sa sakrificë e mund familjet tona kanë pagur çmim për liri dhe pavarësi”, ka deklaruar Limaj.
Ndërkohë, nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, theksuar se moslejimi i pjesëmarrjes së Hashim Thaçit në varrim nga Gjykata Speciale e bën edhe më të pabesueshme këtë gjykatë.
Nisin homazhet për Haxhi Thaçin
Homazhet në nderim të Haxhi Thaçit kanë nisur në palestrën “Ilaz Kodra” në Skënderaj.
Familjarë, miq e të afërm të familjes Thaçi kanë ardhur për të nderuar veprimtarinë e babait të ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Varrimi i tij do të bëhet sot në orën 15:00, ndërkaq Hashim Thaçit i është refuzuar kërkesa për ardhje në varrimin e prindit të tij nga Gjykata Speciale në Hagë.























