Shfaqja "Pas Luftës, Kush Jemi Ne?!" prezantohet në Paris dhe Bruksel
BKT
Kulturë

Shfaqja "Pas Luftës, Kush Jemi Ne?!" prezantohet në Paris dhe Bruksel

Sh. Gashi/ RTKlive

Shfaqja teatrale “Pas Luftës, Kush Jemi Ne?!”, e realizuar nga Kompania “NOA – Dans Teatër” në bashkëpunim me Shoqatën “Yjet që Nuk Vdesin”, do të prezantohet në Paris dhe Bruksel gjatë muajit mars.

Në programin e mëngjesit të RTK-së, producenti i shfaqjes, Nysret Pllana dhe koreografi Robert Nuha folën pwr shfaqjen, e cila ka për qëllim të nderojë sakrificat e atyre që luftuan dhe dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

"Qëllimi ynë kryesor ka qenë të prezantojmë vlera artistike dhe njëkohësisht të kujtojmë sakrificat e atyre që luftuan dhe dhanë jetën në luftën për liri. Jemi të lumtur që shfaqja ka marrë vlerësime të larta jo vetëm në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni, por edhe në shumë shtete të tjera. Edhe pse tema është shumë e ndjeshme, investimi artistik i grupit ka qenë i madh dhe ka arritur të prekë zemrat e publikut", tha Nuha.

Nga ana tjetër, Pllana, si producent i shfaqjes, theksoi se ideja për këtë shfaqje ka qenë e hershme, por pengesat financiare ishin ato që e vonuan realizimin e saj.

“Me këtë shfaqje, synojmë të tregojmë botës, si miqve ashtu edhe armiqve, se populli shqiptar ka vuajtur shumë. Jemi mirënjohës NATOS dhe Amerikës, dhe me këtë shfaqje artistike dëshirojmë të falënderojmë ata për ndërhyrjen humanitare dhe ushtarake në Kosovë. Kjo shfaqje u dedikohet të zhdukurve dhe fëmijëve të vrarë gjatë luftës", tha ai.

Shfaqja do të jetë e hapur për publikun më 24 mars në "Theatre du Gymnase Mari Bell" në Paris, Francë, në orën 20:00. Më 26 mars, ajo do të prezantohet në Teatrin “Claridge Events” në Bruksel, Belgjikë, gjithashtu në orën 20:00.

Pas këtyre prezantimeve, shfaqja do të vazhdojë në Gjermani dhe New York më vonë gjatë vitit.


MË SHUME NGA Kulturë