Gërxhaliu: Vendimi i Trumpit për thëngjillin, perspektivë e re për Kosovën
BKT
Lajme

Gërxhaliu: Vendimi i Trumpit për thëngjillin, perspektivë e re për Kosovën

RTKlive

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, njoftoi se ka autorizuar administratën e tij që të rrisë prodhimin e energjisë me bazë nga qymyri. Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, tha se kjo deklaratë e kreut të SHBA-ve hap një perspektivë të re për sektorin energjetik edhe të Kosovës.

“Kjo deklaratë e kreut të SHBA-ve hap një perspektivë të re për sektorin energjetik të Kosovës. Kosova urgjentisht duhet të ndryshojë strategjinë e zhvillimit të energjisë dhe të fillojë të veprojë sa më shpejt, qoftë për riparimin e termocentraleve ekzistuese, apo edhe për ndërtimin e termocentraleve të reja”, tha ai.

Sipas tij, deri më tani, në shumë vende të botës, përfshirë edhe Kosovën, ata që janë dëmtuar janë pikërisht ata që edhe vetë Trump i quan ekstremistët mjedisorë, të çmendurit, radikalët dhe banditët, të cilët fituan avantazhe duke dëmtuar vendet e tyre – në këtë rast edhe Kosovën.

“Kosova ka një nga rezervat më të mëdha të thëngjillit (linjitit) në Evropë. Sipas vlerësimeve, rezervat e saj të thëngjillit arrijnë rreth 12-14 miliardë tonë. Kjo e vendos Kosovën ndër vendet me burimet më të mëdha të linjitit në botë, në raport me sipërfaqen dhe popullsinë e saj. Për këto pasuri duhet të mendojmë seriozisht, dhe nëse i fusim në përdorim, mund të zgjidhim problemin energjetik për të paktën 40 vjet”, tha ai,

Duke shtuar se ata që kanë kundërshtuar ndërtimin e termocentraleve në Kosovë kanë pasur agjenda të gjelbra, të cilat nuk janë reale dhe janë mbështetur nga mafia energjetike.

“Republika e Kosovës ka nevojë për pavarësi ekonomike dhe jo të jetë e varur nga importi edhe i energjisë elektrike përkundër rezervave natyrore që posedon. Dalja e Kosovës nga kontrolli i '" mafisë ballkanike" për eksport të energjisë elektrike arrihet vetëm duke investuar në kapacitete të reja prodhuese”, tha ai.

Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se teknologjia moderne e mbështetur në Inteligjencë Artificiale mundëson garanci ambientale dhe fakti që sot kemi Termocentrale pa oxhaqe dhe mundësi që hiri i thëngjillit të përdoret si lëndë e parë për prodhimin e produkteve ndërtimore i jep kuptim dhe vlerë të shtuar thëngjillit vendor.

“Me fillimin e shfrytëzimit të Inteligjencës Artificiale do të rritet nevoja për energji elektrike për 8 - 20% prandaj duhet të jemi të përgatitur për ketë sfidë. Shtetet që nuk kanë resurse natyrore për energji elektrike janë të orientuara drejt burimeve bërthamore. Është koha për vendime të guximshme me rëndësi pozitive dhe  multidimensionale në interes të shtetit, qytetarëve dhe pozicionimit gjeo-strategjik dhe futurologjik në rendin e ri botëror që filloi me ardhjen e Presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z.Donald Trump”, theksoi ai.


MË SHUME NGA Lajme