Lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për paqe
BKT
Lajme

Lufta në Ukrainë dhe përpjekjet për paqe

Bardhyl Bajrami/ RTK

Kanë vazhduar sulmet e Rusisë në Ukrainë. Katër persona janë vrarë, një në rajonin Sumy, derisa tre të tjerë në qytetin Zaporizhia. Nesër pritet të vazhdojnë bisedimet në Xhedah të Arabisë Saudite, ndërsa emisari amerikan Uitkoff ka thënë se pengesë e madhe për paqen është statusi i Gadishullit të Krimesë dhe i katër rajoneve që janë të okupuara nga Rusia.

Të paktën një person është vrarë, si pasojë e sulmeve të Rusisë në rajonin Sumy të Ukrainës, kanë thënë ekipet emergjente të Ukrainës. Sipas autoriteteve, trupi i pajetë është gjetur nën rrënojat e një ndërteseje që ishte shembur si pasojë e sulmit me raketa.

Në qytetin Zaporizhzhia, në rajonin me po të njëjtin emër, janë vrarë të paktën tre persona, në mesin e të cilëve një fëmijë, ndërsa janë plagosur 12 persona. Si pasojë e sulmit nga zjarri ishin përfshirë disa objekte, përfshirë një restorant, një kopsht fëmijësh dhe një banesë në një ndërtesë nëntëkatëshe.

Ndërsa presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vizituar qendrën komanduese të grupit taktik Pokrovsk, që udhëheq me operacionin luftarak në rajonin e Donjetskut.

Zelenski gjithashtu ka takuar edhe komandantët e projektit që njihet si Linjat e Dronëve, që bën bashkë njësitë më të mira të fluturakeve pa pilot të Forcave Ajrore të Ukrainës.

Sipas paralajmërimeve, të dielën në Xhedah të Arabisë Saudite do të vazhdojnë bisedimet për paqe në Ukrainë, ku do të marrin pjesë sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, dhe Mike Waltz, këshilltar për Siguri Kombëtare, por që nuk janë dhënë detaje tjera për pjesëmarrësit tjerë.

Steve Witkoff, emisar i presidentit Trump, ka thënë se pengesa më e madhe, apo siç e ka quajtur ai “elefanti në dhomë”, për zgjidhjen e luftës së Rusisë në Ukrainë është statusi i Gadishullit të Krimesë dhe katër rajoneve të Ukrainës, që janë okupuar nga Rusia.


MË SHUME NGA Lajme