Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 19 vjeçarit në Vushtrri
Arlinda Sejda /RTK
(E plotësuar) Policia e Kosovës ka njoftuar se ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., i cili dyshohet se, të dielën rreth orës 20:35, ka vrarë një 19 vjeçar në Vushtrri.
Me këtë rast është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale.
Bëhet e ditur se rreth orës 20:35, policia ka pranuar informatën për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Galip Badivuku ’ në Vushtrri.
“Nga hetimet e para nga vendi i ngjarjes, ishte bërë e ditur se një person i dyshuar kishte shtënë me armë në drejtim të viktimës A. Z., 19 vjeçar. Viktima është dërguar në Spitalin e Vushtrrisë ku nga autoritetet spitalore është konfirmuar se viktima ka ndruaj jetë. Me urdhër te Prokurorit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, ka thënë, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.
Nga hetimet e kryera në vendin e ngjarjes dhe ekzaminimet e kryera, hetuesit policor si prova materiale kanë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja.
“Hetuesit policorë kanë identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin B. D., 19 vjeçar nga i cili është konfiskuar një armë pistoletë që dyshohet të jetë përdorur nga i dyshuari në kryerjen e veprës penale. Në shtëpinë e të dyshuarit është realizuar bastisje ku është gjetur dhe konfiskuar edhe një armë e gjatë me pesë (5) fishek, Me aktvendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu bëhet e ditur se rrjedha hetimore është duke vazhduar në koordinim me prokurorin e rastit për zbardhjen e plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me rastin e veprës penale vrasje e rëndë.
Vritet një 19 vjeçar në Vushtrri
N.M /RTKlive
Një person ka mbetur i vdekur nga plagët e marra nga të shtënat me armë zjarri, në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri.
Rastin e ka konfirmuar, për RTKlive, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.
“Rreth orës 20:35 min policia ka pranuar informatën për të shtëna nga arma e zjarrit, ngjarja ka ndodhur në rrugën " Galip Badivuku" në Vushtrri. Nga hetimet fillestare bëhet e ditur se si pasojë e plagëve të pësuara nga arma e zjarrit ka humbur jetën viktima mashkull/ kosovar rreth 19 vjeçar”, ka thënë, zëdhënësi i Policisë Rajonale të Mitrovicës, Avni Zahiti.
Njësitet përkatëse policore ndodhen në vendin e ngjarjes dhe janë në kërkim të personit të dyshuar.
Të shtëna me armë zjarri në Vushtrri
Një incident i rëndë dyshohet se ka ndodhur në mbrëmjen e së dielës, në qendër të Vushtrrisë, raportohet se ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri.
Sipas njoftimeve të para, dyshohet se një person ka mbetur i vdekur. Policia e Kosovës ende nuk e ka konfirmuar rastin.
Në vendngjarje ka dalë ekipi i emergjencës dhe policia e cila e ka rrethuar zonën, ndërsa ende nuk ka dhënë apo ndonjë deklaratë zyrtare për rastin.
RTKlive është në pritje të një përgjigje nga Policia e Kosovës.























