Naim Maloku fillon dëshminë në Speciale
BKT
Lajme

Naim Maloku fillon dëshminë në Speciale

Sh.Ç|RTKlive

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Naim Maloku, ka filluar dëshminë në Gjykatën Speciale në Hagë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Prokurori James Pace ka theksuar se gjatë luftës Maloku ishte anëtar i drejtorisë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe epror ushtarak në Dukagjin. Pace, ka thënë se dëshmitari do të flasë lidhur me rolin që ka pasur ai në UÇK.

“Dëshmitari është shqiptar i Kosovës që ka pasur role të ndryshme në UÇK në vendndodhje të ndryshme duke përfshirë edhe Dukagjinin. Dëshmitari W04403 ka qenë anëtar i Drejtorisë Operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. W04403 do të japë dëshmi lidhur me rolin dhe përgjegjësitë që ka pasur ai në UÇK, takimet që ka marrë ai në ’98-ën dhe ’99-ën, strukturën dhe organizimin e njësiteve të UÇK-së dhe kontaktin që ka pasur me anëtarët e UÇK-së”, ka theksuar Pace.

Maloku u përgjigj pyetjeve të prokurorit lidhur me një libër të botuar në vitin 2000. Ai ka theksuar se UÇK-ja ishte ushtri me baza vullnetare, ku nuk ekzistonte nocioni i dezertimit. 

“Është vetorganizuar në baza vullnetare...z.prokuror, çdo ushtri ose njësi vullnetare ka disa përgjegjësi ose obligime që dallojnë nga ushtritë dhe njësitë që mobilizohen në bazë të ligjeve dhe urdhrave”, është shprehur Maloku.

Maloku është pyetur edhe për rolin e Ilir Konushevcit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Njeri kyç i logjistikës për UÇK-në në Shqipëri. Ishte këmbëngulës që sa më shumë oficerë dhe sa më shumë ushtarakë të futen në Kosovë në radhët e UÇK-së. E di që ka bërë përpjekje maksimale që shumë kolegë të mi që ishin me përvojë në luftërat në Kroaci dhe Bosnjë që të kyçemi”, ka thënë dëshmitari.

Maloku ka deklaruar se në fillim të veprimtarisë së tij është marrë me trajnimin e vullnetarëve që kanë ardhur nga jashtë në dy kampe që kanë ngritur në malin e Dajtit në afërsi të Tiranës.

Ai ka thënë se më pas kanë shkuar edhe në bazat e logjistikës në Kukës dhe në Bajram Curr për të ngritë strukturën organizative të bazave që armët që grumbulloheshin të dekonzervohen dhe të kontrollohen teknikisht.

Si rrjedhojë, Maloku tha se kjo ishte për shkak se në rast kur ushtarët të merrnin armën që të shkojnë në Kosovë, arma të jetë funksionale për shkak se ka pasur disa raste që kur kanë dalë ushtarët në pritë nuk iu kanë funksionuar armët.

Gjithashtu, Maloku ka thënë se në ’98-ën kanë sugjeruar që të mos vendosin mina kundër këmbësorisë.

Sipas kryetarit të trupit gjykues Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë rreth dy ditë. Nga kjo kohë, ZPS-ja ka parashtruar se i duhen katër orë ndërsa ekipet e mbrojtjes të gjitha së bashku kanë parashtruar se iu duhen rreth dhjetë orë për kundërpyetje.

Në prova materiale, u pranuan të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna për ZPS-në së bashku me materialet përcjellëse pasi që nuk pati kundërshtime nga ana e mbrojtjes.

Gjithashtu,  ZPS-ja njoftoi se këtë javë pritet të vijë edhe një dëshmitar tjetër, e po ashtu për të martën e javës së ardhshme është planifikuar një dëshmitar.


MË SHUME NGA Lajme