27-vjet nga Epopeja e Dukagjinit, kujtime nga lufta e intervenimi i NATO-s
BKT
Lajme

27-vjet nga Epopeja e Dukagjinit, kujtime nga lufta e intervenimi i NATO-s

M.M./ RTKlive

Në 27-vjetorin e Epopesë së Dukagjinit dhe 26-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe në Kosovë dhe Serbi, për të ndaluar gjenocidin e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe ndaj popullit shqiptar në Kosovë, pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve, Hisen Berisha, gjeneral në pension, Bujar Haradinaj dhe Fadil Demaku, ushtarë të UÇK-së, kujtuan përjetimet e tyre nga ato kohë.

Bujar Haradinaj, i cili ishte pjesëmarrës në luftën e Gllogjanit 27 vjet më parë, foli për përjetimet e tij në ato luftëra të përgjakshme. Ai tha se deri më 24 mars, kur u zhvillua beteja e Gllogjanit, kishte pasur aktivitete të tjera të zhvilluara që nga fillimet e viteve '90, duke sulmuar postblloqet e forcave serbe, stacionet policore, etj.

“Pas datës 5, 6, 7 mars, kur ndodhi sulmi i forcave serbe në Prekaz, ne e dinim se një ditë do të sulmohemi si familje, prandaj ishim përgatitur”, tha Haradinaj në një intervistë për RTK.

Ai tregoi se më 5 mars të vitit 1998, bashkë me një grup prej pesë personash, sulmuan pozicionet serbe në mënyrë të hapur. “Prej asaj dite nuk jemi fshehur më”, tha ai. Haradinaj kujtoi gjithashtu përplasjet e para me forcave serbe në ditën kritike kur u sulmua familja Haradinaj.

Fadil Demaku, ushtar i UÇK-së në Zonën Operative të Drenicës, përmendi marsin e vitit 1998 dhe 1999 si muaj të zhvillimeve të jashtëzakonshme. Ai tha se beteja e Jasharajve në mars të vitit 1998 ishte pikënisja për organizimin dhe zgjerimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke mobilizuar të rinjtë që dëshironin të bëheshin pjesë e UÇK-së.

Demaku gjithashtu përmendi luftën e 24 marsit në Gllogjan, ku, sipas tij, lufta për liri po merrte përmasa të mëdha në gjithë vendin. “Beteja e 24 marsit të vitit 1998 ishte një frymëzim për të gjithë ata që donin të bëheshin pjesë e UÇK-së”, tha ai, duke shtuar se kjo ishte një shenjë se lufta për liri nuk do të ndalej, pavarësisht përpjekjeve të forcave serbe për ta shtypur atë.

Demaku përmendi gjithashtu se intervenimi i NATO-s kishte ardhur si pasojë e situatës të krijuar nga veprimet e UÇK-së në terren. “Në fund të fundit, UÇK-ja ishte partneri i NATO-s në terren”, u shpreh ai.

Gjenerali në pension, Hisen Berisha, i cili ishte pjesëmarrës në betejat e Koshares për Epopenë e Dukagjinit, tha se lufta e UÇK-së ishte intensifikuar. Ai shpjegoi se lufta guerile, në fillimet e saj, shkaktonte pasiguri te armiku, por se vazhdimi i saj në këtë formë do të rrezikonte mbrojtjen e popullsisë civile. Për këtë arsye, UÇK-ja ndryshoi strategjinë dhe kaloi nga lufta guerile në luftë frontale.

“Ideja e parë e luftës frontale ishte fillimi i luftës nga kufiri, sepse luftërat çlirimtare zhvillohen kështu, nga kufiri në kufirin tjetër”, tha Berisha.

Ai gjithashtu theksoi se intervenimi i NATO-s konfirmoi përkushtimin e botës demokratike për të shpëtuar jetë njerëzish dhe për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të drejtat e njeriut.


MË SHUME NGA Lajme