Ish-presidentja Jahjaga pjesëmarrëse në ESG Adria Samitin në Mal të Zi
BKT
Lajme

Ish-presidentja Jahjaga pjesëmarrëse në ESG Adria Samitin në Mal të Zi

RTKlive

Atifete Jahjaga, ish-presidentja e Kosovës, do të flasë në ESG Adria Samitin 2025, i cili do të mbahet nga 9 deri më 11 prill në Porto Montenegro, Tivat.

Ky ngjarje e rëndësishme mbi të ardhmen e qëndrueshme të rajonit organizohet nga Sustineri Partners dhe Porto Montenegro, në bashkëpunim me Qeverinë e Malit të Zi dhe nën patronazhin e Presidentit të Malit të Zi. Samiti mbledh zyrtarë të lartë, liderë ndërkombëtarë dhe rajonalë të biznesit, ekspertë të zhvillimit të qëndrueshëm, përfaqësues të institucioneve financiare, kompanive të energjisë, bankave, start-up-eve, organizatave ndërkombëtare, mediave dhe komunitetit akademik.

Atifete Jahjaga është gruaja e parë presidente e Kosovës, e cila e ushtroi këtë detyrë nga viti 2011 deri në vitin 2016. Ajo ishte gjithashtu liderja më e re e zgjedhur në botë në atë kohë, si dhe gruaja e parë presidente në Ballkanin modern. Jahjaga ka dhënë kontribut të rëndësishëm në fuqizimin e grave dhe mbështetjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Ajo njihet si një lidere e përkushtuar ndaj forcimit të institucioneve demokratike, përfshirjes ekonomike dhe promovimit të mundësive të barabarta. 

Në vitin 2012, ajo organizoi Samitin Ndërkombëtar të Grave në të cilin morën pjesë mbi 200 udhëheqëse nga mbarë bota dhe ku u miratuan Parimet e Prishtinës, që promovojnë të drejtat e grave për pjesëmarrje dhe përfaqësim më të madh në politikë, burime ekonomike, qasje në siguri dhe drejtësi, si dhe bëjnë thirrje për veprime konkrete për zbatimin e tyre.

Pjesëmarrja e saj në ESG Adria Samit do të jetë një mundësi për të hapur tema kyçe për rëndësinë e lidershipit në zhvillimin e qëndrueshëm, si dhe për t’u fokusuar në çështje si fuqizimi i grave dhe të rinjve, lufta kundër pabarazive ekonomike dhe forcimi i stabilitetit ekonomik në rajon.

"ESG Adria Samiti në Porto Montenegro përfaqëson forumin kryesor për diskutimin mbi të ardhmen e biznesit të qëndrueshëm në Evropën Juglindore. Në këtë ngjarje do të flasin vendimmarrës të rëndësishëm, sipërmarrës dhe ekspertë nga industri të ndryshme, ndërsa temat do të përfshijnë ekonominë e qëndrueshme, investimet e përgjegjshme, teknologjitë e gjelbra dhe transformimin digjital," theksoi Biljana Braithwaite, themeluese e Sustineri Partners, organizator i ESG Adria Samitit.

Samiti është një platformë kyçe për diskutimin mbi zbatimin e parimeve të zhvillimit të qëndrueshëm në biznes, me fokus të veçantë në menaxhimin shoqëror të përgjegjshëm, inovacionet dhe rritjen ekonomike të bazuar në standardet ESG (parimet mjedisore, shoqërore dhe të qeverisjes).


MË SHUME NGA Lajme