Macron dhe Vuçiq diskutojnë për rrugën evropiane të Serbisë
BKT
Lajme

Macron dhe Vuçiq diskutojnë për rrugën evropiane të Serbisë

B.H./RTKlive

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, zhvilluan një bisedë telefonike, ku diskutuan mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe perspektivën evropiane të Serbisë.

Macron, përmes një postimi në rrjetin social "X", njoftoi se biseda përfshiu një përmbledhje të kontakteve të fundit të Vuçiqit në Bruksel. Ai ritheksoi dëshirën e tij që Serbia të vijojë rrugëtimin e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kam folur në telefon me presidentin Vuçiq. Ne diskutuam tema dypalëshe dhe bëmë një përmbledhje pas kontakteve të tij të fundit në Bruksel. Unë ia përsërita dëshirën time që Serbia të vazhdojë të përparojë në rrugën e saj evropiane”, deklaroi Macron.

Në anën tjetër, presidenti serb Aleksandar Vuçiq e cilësoi këtë si një "bisedë shumë të mirë" dhe theksoi se me Macronin kanë diskutuar mbi gjithçka, përfshirë bashkëpunimin mes dy vendeve dhe rrugën evropiane të Serbisë.

“Bisedë shumë e mirë me presidentin Emmanuel Macron. Ne folëm për gjithçka. Aspektet e bashkëpunimit dypalësh mes Francës dhe Serbisë, por edhe rrugën evropiane të vendit tonë. Ne të dy theksuam rëndësinë që të përmirësojmë më tej marrëdhëniet tona dhe në përputhje me rrethanat ramë dakord të takohemi në prill të këtij viti”, shkroi Vuçiq.

Presidenti serb gjithashtu potencoi rëndësinë e partneritetit me Francën, duke theksuar se ky bashkëpunim sjell përfitime të mëdha për qytetarët e Serbisë.


MË SHUME NGA Lajme