26 vjet nga masakrat në Pastaselë dhe Burim
V.TH / RTKLive
Sot bëhen 26 vjet nga Masakra në Pastasel të Komunës së Rahovecit, një nga masakrat më të tmerrshme që kanë bërë forcat kriminale serbe gjatë luftës në Kosovë në vitin 1999. Po ashtu sot bëhen 26 vjet edhe nga masakra e forcave serbe në Burim të Malishevës, ku u vranë dhe u masakruan 42 civilë shqiptarë.
Në masakrën e Pastaselë janë vrarë dhe masakruar 106 persona nga ky fshat dhe fshatrat tjera përreth, dhe që nga atëherë ende ka familjarë që kërkojnë t’i kthehen trupat e më të dashurve të tyre, të cilët figurojnë të pagjetur.
Në këtë masakër përpos vrasjes dhe masakrimit nga forcat serbe, të vrarët më pastaj edhe janë djegur. Nga kjo masakër kanë mbijetuar 13 persona.
Masakra në Burim është masakra më e madhe që ka ndodhur në Malishevë gjatë luftës së fundit.
Më 31 mars 1999, te vendi i quajtur Vrella e Mëhillit në Burim të Malishevës, u vranë dhe u masakruan 42 civilë, shumica prej tyre nga fshatrat Dragobil dhe Astrazup, si dhe tre banorë të Suharekës, të cilët ishin strehuar në këtë pjesë.
Po në këtë ditë, në fshatrat tjerë janë vrarë dhe masakruar edhe civilë të tjerë.
Ndryshe për këto masakra nuk është deri më tani nuk është dënuar asnjë person.























