Rezervat shumëkombëshe dislokohen në mbështetje të KFOR-it
E.Hoti/RTKlive
Trupat shqiptare, bullgare, greke dhe rumune nga rezervat operacionale filluan dislokimin e tyre në mbështetje të misionit të KFOR-it.
Kështu ka njoftuar KFOR-i përmes një komunikate për media.
KFOR-i tha se personeli i dislokuar do të operojë në bazë të përkohshme, së bashku me 200 forca rezervë që veçse janë dislokuar në Kosovë nga brigada italiane “Sassari”.
Tutje theksohet se këto përforcime, së bashku me trupat e KFOR-it, rrisin aftësinë e KFOR-it për t'iu përgjigjur çdo zhvillimi të situatës së sigurisë.
KFOR-i ritheksoi se vazhdon të kontribuojë për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.























