Osmani: Lajmi i rremë mund të përhapet më shpejt se e vërteta|VIDEO
E.O| RTK & A.B|RTKlive
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuse, BIRN Kosova, ka publikuar raportin rreth gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimit gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se në epokën në të cilën po jetojmë, lajmi i rremë mund të përhapet më shpejt se e vërteta, prandaj kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik real edhe për stabilitetin shtetit tonë, demokracinë dhe sigurinë kombëtare.
Ajo vlerësoi se dezinformata nuk është thjesht një mjet propagandistik, por sipas saj është një armë e luftës hibride që synon t`i minojë institucionet, ta dobësojë besimin publik dhe të krijojë pasiguri në vendimmarrje.
“Prandaj, kur dezinformatat lidhen drejtpërdrejt me shtetin, ato nuk janë më vetëm sulme ndaj individëve të caktuar, por ndaj vetë shtetit dhe sigurisë së tij”, theksoi Osmani.
Kurse ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav ka deklaruar se BE-ja mbetet e përkushtuar për të mbështetur lirinë e mediave, gazetarët që bazohen në fakte dhe përpjekjet e tyre për të luftuar dezinformimin.
“Raporti ofron një vështrim në thellësi modelin shqetësues të dezinformimit dhe gjuhës së urrejtjes që karakterizuan zgjedhjet në Kosovë të vitit 2025. Dezinfomrimi është më shumë se një kontekst mashtrues , është një kërcënim direkt ndaj demokracisë, manipulon opinionin publik dhe minon besimin në institucione”, tha Orav.
Sipas tij, luftimi i dezinformimit nuk është përgjegjësi e vetëm një institucioni vetëm, por kërkon përpjeke kolektive, të gjithë ne, politikëbërësit, gazetarët, kontrolluesit e fakteve dhe shoqëria civile.
“Duhet të punojmë së bashku të krijojmë një ambient mediatik që është transparent, llogaridhënës dhe rezistent ndaj manipulimit”- theksoi ambasadori i BE-së.
Të pranishëm në ceremoninë e publikimit të këtij raporti ishin edhe drejtuesit e Radio Televizionit të Kosovës.
Lajm në përditësim























